Ende pa përgjigje për testin e lëndës me zgjedhje, maturantët sërish nesër në protestë

Maturantët në Tiranë kanë paralajmërur sërish ditën e nesërme një protestë përpara Ministrisë së Arsimit. Ata kundërshtojnë tezën e provimit të fundit, atë të lëndës me zgjedhje, ku në testin e Biologjisë dhe Fizikës, sipas tyre, kishte pyetje jashtë programit mësimor.
Maturantët u mblodhën edhe një ditë më parë në protestë për të njëjtën arsye, duke kërkuar ripërsëritjen e testit.
“Ne kërkojmë ribërjen e tekstit. Pikët që iu përkasin pyetjeve jashtë programit kërkojmë që të na eliminohen. Na u premtua se asgjë nuk do të jetë jashtë programit. Testi model nuk kishte lidhje me ato çka na u ofrua me testin e Maturës”, tha një maturante.
“Jam nxënëse ekselence. Notat e 3 viteve u hodhën poshtë. Ishte provim i dështuar, 30% e testit ishte jashtë programit”, u shpreh një tjetër.
Ato kanë lajmëruar tubimin e radhës ditën e nesërme në orën 10:00.
“Ditën e hënë ora 10:00 maturantët mblidhen para Ministrisë së Arsimit për të drejtat e tyre!” – thuhet në thirrjen e tyre.
Ministria e Arsimit deri më tani nuk ka dalë me ndonjë deklaratë mbi pretendimet e tyre.