Aktualitet

Mbërrijnë dozat e fundit të vaksinës së gripit, këto janë kategoritë e riskut që e përfitojnë falas

Mbërrijnë dozat e fundit të vaksinës së gripit,

Sot kanë mbërritur në Shqipëri 230 mijë vaksina kundër gripit, pjesa e fundit e paketës prej 368 mijë dozash për të cilat ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu thotë se i ka siguruar qeveria.

“Bazuar në planin tonë të vjeshtë-dimrit kemi siguruar vaksinimin falas ndaj gripit për grupet e riskuara për 368 mijë qytetarë dhe sot ka mbërritur sasia e fundit prej 230 mijë vaksinash”, tha Manastirliu duke shtuar se këtë vit për shkak edhe të pandemisë janë siguruar 4 fish më shumë doza të vaksinës.

Por kush janë kategoritë e riskut të cilët e përfitojnë vaksinën falas?

Kategoritë janë:

Punonjësit e Shëndetësisë; mësuesit dhe të gjithe kujdestarët të cilët kujdesen për fëmijët, fëmijët në moshën 2 deri 5 vjeç, gratë shtatzëna, personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike si diabet, sëmundje kronike obstruktive pulmonare, sëmundje kronike të zemrës, veshkave, mëlçisë si dhe persona obezë apo me imunodeficiencë të të gjitha moshave.

Manastirliu thotë se vaksinimi kundër gripit shërben si një masë parandaluese që këto grupe risku të mos infektohen nga virozat që qarkullojnë meqënëse qarkullojne paralelisht me Covid-19.

*Tiranapost.al.