Aktualitet

Mbledhje e gjatë por e vlefshme: Gjiknuri tregon konsensusin me opozitën për disa çështje

Mbledhje e gjatë por e vlefshme: Gjiknuri tregon konsensusin me

Ka zgjatur tre orë mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën tha se ishte një mbledhje e gjatë me shumë diskutime por të vlefshme. Për mediat ai tha se pritet që reforma të miratohet me 31 maj ose pak ditë pas kësaj date.

Por çfarë u diskutua dhe u ra dakord?

Lexoni deklaratën e Gjiknurit:

Ishte mbledhje e gjatë po e vlefshme me shumë debate, dhe me disa marrëveshje konsensuale për disa çështje: u pranua që periudha zgjedhore të shkurtohet me 15 prill- 15 maj, dhe njëjtë 15 tetor-15 nëntor.

Është periudhë e mirë për të bërë zgjedhje në Shqipëri, edhe klima është më e mirë. Por ashtu për emigracionin dhe turizmin.

Ramë dakord për parimin e kuotës gjinore që të avancojë; që 1 në tre emra të jetë nga gjinia femerore. Nisur nga ky parim të shikohet edhe për disa problematika të tjera, do shohim.

Gjithashtu u diskutua për financimin miks; ku do ketë financim nga qeveria dhe pjesa tjetër privat, por duke ulur raportin jo më 1 me 10. Do shtohet pjesa e financimit publik vlera totale për fushatën. Kemi disa çështje që na ndajnë por përgjithësisht kapitulli ka marrë dakordësi.

Pas dy ditësh kemi takimin e radhës për krimet zgjedhore, dhe për fushatat që jemi ende duke diskutuar.

Bylykbashi tha se sot nuk u trajtuan çështjet më të rëndësishme si krimet zgjedhore që do diskutohet në takimin e radhës.

"Problematikat kryesore të procesin zgjedhor nuk janë këto, ajo që duhet të garantojmë është mbrojtja e shqiptarit që ta hedhë votën i lirë dhe sekret. Liria dhe sekreti i votës cenohet, OSBE ka bërë rekomandim për marrjen e masave. Kemi në diskutim janë masa që rregullojnë rolin e organeve, policisë, prokurorisë dhe SPAK-ut për krimin zgjedhor.

Masat për sekretin e votës, garantimin që kutia nuk mbushet, jo votim familjar, apo nga emigrantë që nuk kanë qenë në vend. Këto janë problemi real, që vota është e vërtetë dhe numërohet pa manipulim. Të tjerat janë rreth këtij boshti. Ne do të kërkojmë konsensus pa hequr dorë nga garantimi i standardit. Ne do të bëjmë përpjekjet që brenda 31 majit të arrijmë konsensusin".

Tre propozimet e diskutuar sot:

1. Financimi i partive
Opozita propozon një ligj që ul në minimum financimin privat të partive dhe eliminon korrupsionin

Ligji i propozuar nga opozita forcon rregullat e transparencës, verifikimit të financimit dhe sanksionet. Një ndër propozimet e opozitës është edhe përjashtimi i privatëve që financojnë partitë politike nga tenderat, koncesionet dhe kontratat publike. Në këtë mënyrë eleminohet mundësia e favorizimit të tyre të paligjshëm.
Opozita propozon që financimi nga privati të jetë sa gjysma e financimit nga shteti. Aktualisht, partitë lejohen të shpenzojnë sa 10 herë shuma e financimit publik. Psh. Kur ajo merr nga buxheti 30 milionë lekë, financimi privat do të jetë 15 milionë lekë dhe jo 300 milionë, siç është aktialisht. Ligji shton mekanizmat shtetërorë e kontrollit të shpenzimeve në fushatë, me qëllim eleminimin e përdorimit të parave të pista në zgjedhje. Propozimi është në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.

2. Kuota gjinore
Në mënyrë që të zbatohet realisht përfaqësimi në lista të jo më pak se 30% gra dhe 1 ndër 3 emrat e parë të listës të jetë grua, opozita propozon që partitë apo koalicionet të kenë aq kandidatë sa numri i mandateve në qark. Asnje kandidat më shumë të mos pranohet. Aktualisht, lista e pakufizuar dhe vendosja e grave në fund të listës e bën joefektive kuotën 30%. Sanksioni për shkeljen e kuotës gjinore nuk është më gjoba, por refuzimi i regjistrimit të listës për qarkun përkatës.

3. Periudha zgjedhore
Opozita kërkon shkurtimin e periudhës zgjedhore në të dy sezonet e parashikuar aktualë. Nga 3 muaj kërkohet që të bëhet 1 muaj. Opozita propozon që zgjedhjet të mos zhvillohen në periudha që ndikojnë në sezonin turistik, por t’u jepet qytetarëve çdo mundësi për të ushtruar të drejtën e votës. Periudhat e zgjedhjeve të propozuara nga opozita janë 15 Prill-15 Maj dhe 15 Tetor – 15 Nëntor.