Aktualitet

Mbyllja e shkollave/ Mësimi do të zhvillohet virtualisht

Mbyllja e shkollave/ Mësimi do të zhvillohet virtualisht

Pavarësisht se shkollat dhe universitetet do të qëndrojnë të mbyllura deri më 23 mars, nxënësit dhe studentët do ta vazhdojnë mësimin virtualisht. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, njoftoi se mësuesit do të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia ose nga shkolla dhe do të krijojnë klasa virtuale.

“Nuk do të arrijmë të zëvendësojmë të gjitha orët e humbura. Kemi një plan për drejtorët e shkollave që mësuesit të rrinë në kontakt me prindërit që nxënësit të mësojnë nga shtëpia. Të bëjmë video në chat me prindërit dhe nxënësit, video me përgjigjet e pyetjeve që mund të kenë dhe të shpërndahet në grup WhatsApp-i. Do të krijohet klasë e vogël virtuale. Mësoni në shtëpi, bëni detyrat sepse është përgjegjësi e juaja dhe e prindërve që të mos ngelni pas me mësimet dhe rezultatet. Në varësi të rasteve të të prekurve do të merret vendimi dhe pas 23 marsit për hapjen e shkollave dhe universiteteve. Mësuesit do të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia dhe shkolla", tha ministrja.

Shahini tha do të vendoset gjatë kësaj periudhe edhe për dezinfektimin e ambienteve të institucioneve arsimore.

Lidhur me provimet e Maturës, ministrja sqaroi:

“Për provimet e Maturës nuk do të shtyhen datat, sepse do të jetë e vështirë për ata që do të aplikojnë për universitet. Do të krijojmë grupe të veçanta që të përgatiten nga shtëpia. Të gjitha pyetjet ndër vite i kemi botuar, që të përgatiten për mënyrën si do të testohen”.

Të gjitha institucionet arsimore do të qëndrojnë të mbyllura deri më 23 mars.