Aktualitet

Me akuzën për ‘shpërdorim detyre’ shoqërohen në Polici 9 kontrollorë të Rinasit

Me akuzën për ‘shpërdorim detyre’ shoqërohen

Janë shoqëruar mesnatën e mbrëmshme në Polici 9 kontrollorë të aeroportit të Rinasit që pezulluan punën.

Të shoqëruar janë Elton Shabani, Rei Katroshi, Armando Fezga, Flora Ndreca, Sokol Kosta, Mohnir Mezini dhe tre të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen ende me dije.

Kontrollorët ndodhen aktualisht në Komisariatin e Policisë. Disa prej tyre raportohet të ketë shkuar vetë në Rajonin e Policisë.

Mësohet se Prokuroria ka nisur hetimet ndaj tyre me akuzën “shpërdorim detyre”.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë ka filluar hetimet për situatën e ndodhur në aeroportin e Rinasit. Vepra penale për të cilën po hetohet lidhet me Shpërdorim detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga ana e oficereve të policise gjyqësore, po kryhen veprimet e duhura hetimore per zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur. Po vijojnë veprimet hetimore ne drejtim te evidentimit të rolit të secilit prej personave të përfshire në këtë ngjarje.”, shkruhet në njoftimin e prokurorisë.

Greva e 65 kontrollorëve të Albcontrol ka pezulluar prej paradites së djeshme punën në Rinas, duke ndërprerë fluturimet.

Punonjësit kërkojnë rikthimin e pagës para pandemike edhe pse numri i fluturimeve është përgjysmuar.

Kjo situatë po konsiderohet si një grusht shteti nga Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila është shprehur se nuk mund të ndërhyjë të përcaktimin e pagave të AlbControl si një kompani që operon nga buxheti zero.

Kryeministri Rama u ka lënë afat deri sot për t`u rikthyer në punë, përndryshe do ta humbasin vendin e punës.

Ngjarja është konsideruar nga qeveria si e qëllimshme për të bllokuar ardhjen e vaksinave dhe procesin e vaksinimit.