Aktualitet

Më jepnin kokainë dhe më shfrytëzonin si prostitutë! 17-vjeçarja e abuzuar nga katër të rinj në Fushë-Krujë rrëfen 8 muajt e tmerrit

Më jepnin kokainë dhe më shfrytëzonin si prostitutë!

Hetimi 8-mujor zbuloi një ngjarje të rëndë në Fushë-Krujë, ku një grup të rinjsh prej 4 personash shfrytëzuan seksualisht për tetë muaj një 17-vjeçare.

Adoleshentja tregon për “News 24” se të rinjtë e kanë droguar dhe më pas e kanë shfrytëzuar si prostitutë, ndërsa i bëhej presion se do t’i trafikonin edhe motrat nëse nuk iu bindej urdhrit të tutorëve.

Rrëfimi i 17-vjeçares:

“Jam abuzuar seksualisht që kur isha 16 vjeçe. Me jepnin droga të forta dhe më detyronin të kryeja marrëdhënie me ta. Shpesh herë edhe më dhunonin fizikisht. Më parë kam konsumuar hashash. Kur festova ditëlindjen e 16-të një djalë që më ngacmonte më dha kokainë. Ajo më bënte të mos isha e përgjegjshme për veprimet e mia.

Jam shfrytëzuar si prostitutë për 8 muaj. Para akteve seksuale që kryheshin pa vullnetin tim më jepnin drogë. Ata shfrytëzonin faktin që babai im ishte në burg. Kanë tentuar të më trafikojnë edhe në Greqi. Shpesh më kërcënonin se do abuzonin seksualisht dhe do trafikonin motrat e mia nëse unë i denoncoja.

Kam qëndruar 3 muaj në një qendër rehabilitimi në Vlorë. Tani jam e pastruar nga droga dhe u bëj apel gjithë bashkëmoshatarëve të mos i besojnë askujt por vetëm familjarëve. Vetëm ata ta duan të mirën”.

Mëngjesin e sotëm në banesën e 17-vjeçares iu vendos edhe një sasi tritoli, si kërcënim për të mos folur lidhur me ngjarjen.