Aktualitet

Më vjen keq që nuk u mblodhën kurrë siç ishim... Aktori Ferra flet për Teatrin e ri

Më vjen keq që nuk u mblodhën kurrë siç ishim...

Për aktorin Gerti Ferra, artistëve dhe vendit i duhej një Teatër i ri me parametra bashkëkohorë.

“Më në fund erdhi dita t’i jepnim fund asaj karakatine të turpshme që ishte në mes të Tiranës e që quhej Teatri Kombëtar. Dhimbshmëri kam pa fund për atë godinë, pasi e kam prekur që në vegjëli, kam emocionet e mija në atë skenë. I sapodalë nga bankat e Akademisë së Arteve ushtrova profesionin tim në atë skenë, por që ishte në zgrip të çmendurisë për t’u quajtur një Teatër Kombëtar. Më vjen keq që nuk u mblodhën kurrë siç ishim të gjithë aktorët, regjisorët dhe t’i hidhnin një tufë lulesh, të recitonim një poezi, disa vargje të ndjera për t’u ndarë nga emocionet dhe kujtimet tona. Edhe unë u rrëqetha kur godina ra, por pas goditjes së parë, thashë erdhi dita e madhe që mezi e kam pritur”, – tha Ferra për ATSh.

Aktori tha se kurrsesi nuk do ishte dakord të shkonte tek Bregu i Lumit për të parë Teatrin Kombëtar.

"S’kam asgjë me atë zonë, por si koncept. Për këta romantikët dhe këta që po ngrejnë zërin sot, lind pyetja ku jeni ju që flisnit dikur për kushtet më të mira të punës, për pagat… etj., dhe nuk merren me kauza të qenësishme si e përditshmja e artistëve. U bëj thirrje që mos u merrni vetëm me godinën, por merruni dhe me thelbin e së vërtetës, ua them me shpirt këtë gjë. Ka shumë njerëz nga ata aty që e thonë e gërthasin, por ju them, ka shumë gjëra personale që ju jeni mbase viktimë e kësaj kauze të madhe që po përdoret rëndom sot nga politika", përfundoi Ferra.