Aktualitet

Merret vendimi: Nuk do paguhet tarifë doganore për vaksinat anti-Covid që mbërrijnë në Shqipëri

Merret vendimi: Nuk do paguhet tarifë doganore për vaksinat anti-Covid

Tarifa doganore për vaksinat kundër koronavirusit që do të importohen në Shqipëri do të jetë zero. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave dhe është firmosur sot nga zv.kryeministri Erion Braçe, me porosi të kryeministrit Rama.

Sipas vendimi, ndryshimi për tarifat lejon që vaksinat kundër Covid-19 por dhe vaksina të tjera të cilat kanë një kod specific, të importohen në Shqipëri pa taksë.

Tre ditë më parë, kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftuan se kanë mbërritur 975 dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer, ndërsa prej tre ditesh vijon procesi i vaksinimit, fillimisht me mjekët dhe epidemiologët, në qendrën e ngritur në Air Albania.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi i plotë: 

VENDIM PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1087, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN DHE PUBLIKIMIN ZYRTAR TË NOMENKLATURËS SË KOMBINUAR TË MALLRAVE, 2021”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1 e 12, të ligjit nr.9461, datë 21.12.2005, “Për Nomenklaturën e Kombinuar të Mallrave dhe tarifën e integruar doganore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave.

VENDOSI:

1. Në lidhjen nr.1, bashkëlidhur vendimit nr.1087, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, në pjesën e dytë, seksioni VI, “Produktet e industrisë kimike apo të industrive të lidhjeve”, kapitulli 30, “Produktet farmaceutike”, kodi tarifor “3002 20 00 – Vaksinat për ilaç njerëzor, pa taksë -”, ndryshohet dhe zëvendësohet me kodet tarifore, si më poshtë vijon:

“? 3002 20 10 – – Vaksinat kundër koronavirus të lidhur me SARS (speciet SARS-CoV), pa taksë –
? 3002 20 90 – – Të tjera, pa taksë -”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

*Tiranapost.al.