Raporti: Mesdheu, një nga zonat më të ndotura në botë. Erozioni do të gërryejë deri në 23 metra vijën bregdetare
SOS e re për Mesdheun në konferencën e OKB-së për klimën që po zhvillohet në Baku. Të hënën, shkencëtarët nga MedECC (Ekspertët e Mesdheut për ndryshimet klimatike dhe mjedisore) publikuan një raport të ri mbi rreziqet bregdetare. Perspektivat janë makth. Në rajon, rritja e frikshme prej 1.5°C krahasuar me epokën para-industriale u arrit tashmë në vitin 2020 dhe deri në fund të shekullit mund të arrijë edhe 2.9°C, në skenarin më të keq.
Megjithatë, ajo që i shqetëson më shumë ekspertët është shpejtësia me të cilën po rritet niveli i detit: rreth 2.8 mm në vit, dyfishi i mesatares së shekullit të 20-të. Trendi pritet të vazhdojë me një ritëm që do të varet nga emetimet e ardhshme të gazeve serrë. Nga fundi i shekullit, niveli i detit mund të rritet me më shumë se një metër, duke rezultuar në rritjen e përmbytjeve bregdetare.
“Rritja relative e nivelit të detit ka rritur tashmë shpeshtësinë e përmbytjeve në qendrën historike të Venecias”, konfirmon raporti.
“Si plazhet e veri-lindjes dhe plazhet e vogla të Italisë jugore janë në rrezik të lartë të erozionit dhe mund të zhduken".
Po aq alarmante është edhe shkalla e erozionit bregdetar, e cila do të luhatet midis 17.5 dhe 23 metra deri në vitin 2050 dhe madje midis 40 dhe 60 metra deri në fund të shekullit.
Një kapitull i veçantë ka të bëjë me mbetjet në det. “Deti Mesdhe është një nga zonat më të ndotura nga plastika në botë”, thuhet në raport. “Plastika lundruese grumbullohet përgjatë brigjeve të saj për shkak të aktiviteteve njerëzore dhe qarkullimit detar."