Aktualitet

Mësim nga kjo e shtunë për nxënësit e arsimit parauniversitar

Mësim nga kjo e shtunë për nxënësit e arsimit

Nga kjo e shtunë dhe në tre javët në vijim, shkollat e arsimit parauniversitar do të zhvillojnë mësim. Vendimi është marrë nga Ministria e Arsimit, dhe siç është njoftuar më herët, do të zëvendësohen 4 ditët e fillimit të muajit Janar, të cilat u lanë pushim për shkak të situatës së koronavirusit.

Mësohet se katër të shtunat mësim do të vijojnë deri në mbyllje të vitit arsimor për shkollat 9-vjeçare, të cilat përfundojnë më 8 Qershor, ndërsa provimet e arsimit bazë janë në periudhën 9-30 Qershor 2021.

Shkollat e mesme do të përfundojnë një javë më vonë, me datë 15 Qershor. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për vitin shkollor 2020-2021 thuhet se maturantët e mbarojnë vitin më herët, me datë 1 Qershor. Ata do të nisin sezonin e provimeve të maturës në periudhën 2 deri më 30 qershor.

Zyrat Arsimore kanë udhëzuar që drejtuesit e institucioneve arsimore të tregojnë fleksibilitet në hartimin e orarit mësimor, duke plotësuar mangësitë.

Siç raporton Klan, në çdo shkollë, drejtoritë kanë zhvilluar testime në çdo klasë, por pa vlerësim me notë, kjo si një mënyrë për të evidentuar problematikat e nxënësve për shkak të zhvillimit të mësimit online, si dhe për të hartuar më tej planin për plotësimin e boshllëqeve.

*Tiranapost.al