Aktualitet

Meta i çon KED emrat e 10 kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese dhe i bën thirrje: Njofto për çdo pengesë

Meta i çon KED emrat e 10 kandidatëve për në Gjykatën

Janë 10 gjyqtarë të cilët kanë aplikuar për vendin vakant për në Gjykatën Kushtetuese të shpallur nga presidenti Meta, të krijuar nga përfundimi përpara kohe i mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj. 

Kandidatët janë: 

1. Zoti Aleksadër Toma
2. Zoti Altin Binaj
3. Zonja Aldona Sylaj
4. Zonja Ardita Buna (Alsula)
5. Zoti Eugen Papandile
6. Zoti Ilir Haznedari
7. Zoti Klajdi Mone
8. Zonja Orkida Totojani
9. Zoti Përparim Kalo
10. Zoti Shaqir Hasanaj

Në njoftimin e presidencës, thuhet se këto emra i janë dërguar KED, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me dokumentacionet e tyre: 

Lista e aplikantëve të mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar prej tyre, do t’i përcillet menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me qëllim që ky organ të vijojë po menjëherë procesin për verifikimin e të gjitha kandidaturave për plotësimin e këtij vendi vakant, sipas ligjit.

Ilir Meta i bën thirrje KED të fillojë menjëherë nga puna: 

– me administrimin e listës së personave që kanë shprehur interesin për plotësimin e vendit vakant të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, të fillojë menjëherë nga puna me mbledhjen e dokumentacionit përkatës për të verifikuar sa më parë kandidaturat, duke bërë me dije çdo pengesë që mund të ndeshë gjatë procesit të mbledhjes dhe/ose përpunimit të informacionit për këtë qëllim.

Ndërkohë i rikujton KED-së se për plotësimin e vendit vakant të ish-gjyqtarit Besnik Muçi, që aktualisht KED ka në proces.

– të punojë pa ndërprerje, që të përfundojë sa më parë e sipas ligjit, shqyrtimin e kandidaturave;
– të angazhohet me të gjitha kapacitetet për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të cilëve u lejohet kandidimi; dhe
– t`i propozojë Presidentit listën e kandidatëve për plotësimin e kësaj vakance, sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Gjykata Kushtetuese ka aktualisht vetëm 4 gjyqtarë, duke mos e bërë atë funksionale. Vitore Tusha është në krye të Gjykatës e komanduar përkohësisht, ndërsa që Gjykata të fillojë punën, nga 9 anëtarë që ka në përbërje, duhet të paktën të ketë 6 gjyqtarë.

Ngërçi me Kushtetuesen ka shkaktuar debate mes maxhorancës dhe presidencës, të cilë akuzojnë njëri tjetrin për bllokimin e saj. Presidenti Meta ka kallëzuar në SPAK ish kreun e KED Ardian Dvoranin. Gjykata Kushtetuese është kusht nga BE që të ngrihet për konferencën e parë Ndërqeveritare.

Njoftimi i plotë nga Presidenca: 

http://president.al/shpallje-e-listes-se-aplikanteve-per-plotesimin-e-vakances-se-parakohshme-ne-gjykaten-kushtetuese-2/

'Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të 9 anëtarët e saj, në mënyrë që gjatë shqyrtimit të çështjeve, kjo trupë gjyqësore të mos ndeshet me asnjë pengesë proceduriale që bën të pamundur marrjen e vendimeve për themelin e pretendimeve kushtetuese të ngritura nga palët', thuhet në fund në njoftimin e Presidencës.