Aktualitet

Meta kthen ligjin për shërbimin e pagesave! Çfarë synon ligji dhe argumentet e Presidentit

Meta kthen ligjin për shërbimin e pagesave! Çfarë synon

Presidenti Ilir Meta kthen për rishqyrtim ligjin e miratuar në datë 30 prill “Për shërbimet e pagesave”, me arsyetimin se nuk është i qartë dhe nuk saktësohen kushtet për licencimin e institucioneve.

Çfarë synon ky ligj?

Objektivat e ligjit janë krijimi, licencimi, organizimi, veprimtaria dhe mbikëqyrja e institucioneve të pagesave. Ligji kishte për objektiv promovimin dhe zgjerimin e përfshirjes financiare të popullatës, reduktimin e kostove të këtyre shërbimeve dhe rrjedhimisht dhe nxitjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.

Nëpërmjet ligjit ju jepej mundësia klientëve që të kryejnë pagesa elektronike, duke përdorur llogaritë e tyre bankare. Banka do të jetë e detyruar të japë akses në llogarinë e klientit, me pëlqimin e këtij të fundit. Aktualisht për të kryer pagesa, klientët duhet të hapin një llogari pranë tyre dhe të depozitojnë fonde aty. Me ligjin e ri, kjo nuk do të ishte më e nevojshme. Llogaritë bankare rrjedhëse do të shërbenin njëkohësisht edhe si llogari pagesash në këto institucione. Klientët do të kishin mundësi që pagesat elektronike t’i kryenin jo vetëm përmes shërbimet e-banking të bankës apo përmes kartës bankare.

Argumentet e Presidentit Meta:

Mospërcaktimi i kritereve të qarta të licencimit të institucioneve të pagesave.

Mospërcaktimi i shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave.

Mospërcaktimi i funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje" thekson Ilir Meta.

Ndërkohë që brenda këtij marzhi të vendosur nga Kuvendi me ligj, thotë më tej Meta, Banka e Shqipërisë mund të saktësojë nivelin minimal të shumës dhe elementet përbërëse të tij për çdo lloj licence për të cilën subjekti aplikon.

"Ndërkohë, në asnjë dispozitë të ligjit nuk përcaktohet se si autoriteti licencues, në këtë rast Banka e Shqipërisë, do të kryejë vlerësimin. Ky ligj duhet të përcaktojë qartë funksionet mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë dhe kompetencat që lidhen me të drejtat e subjekteve tregtare, pas momentit të marrjes së licencës për ushtrimin e veprimtarië ekonomike në fushën e shërbimeve të pagesave" thotë më tej Meta.

Ky ligj sipas kreut të shtetit nuk garanton plotësisht jo vetëm sigurinë e administrimit të fondeve që qarkullojnë përmes institucioneve të pagesave, por krijon rrezikun potencial të keqpërdorimit të tyre me qëllime kriminale, si ato të pastrimit të parave apo të financimit të terrorizmit.

Po sipas Metës, për të ofruar garanci maksimale për qarkullimin përmes institucioneve të pagesave, ligjvënësi mund të kishte përcaktuar në këtë ligj vlerën minimale dhe maksimale të garancisë që një subjekt duhet të përmbushë si kusht në momentin e shqyrtimit të kërkesës së tij për licencim.