Aktualitet

Meta përplaset me Kushtetuesen për Financat Publike: Atë që nuk mund të bëjë Gjykata do e bëjë Kuvendi i ardhshëm

Meta përplaset me Kushtetuesen për Financat Publike: Atë që

Kompanitë private mund të auditojnë financat publike. Gjykata Kushtetuese la në fuqi këtë vendim duke rrëzuar padinë e Kontrollit të lartë të Shtetit. KLSH kërkoi ndryshimin e nenit 50 pika dy, ku thuhet “2. Auditimi i jashtëm realizohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose auditues të tjerë ligjorë”.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, presidenti Meta ka reaguar me një letër drejtuar Gjykatës, ku shkruan se Kushtetuta e ka njohur KLSH-në si institucionin më të lartë që kontrollon përdorimin e financave publike dhe kjo e bën atë të ndihet i detyruar që të shprehë shqetësimin publik sipas Presidentit.

Sipas Metës, neni 50 i ligjit për 'Financat e vetëqeverisjes vendore' që parashikon që auditimi të bëhet edhe nga privatët shkel kompetencat kushtetuese të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

"Pavarësisht se audituesi i jashtëm ligjor është një profesion që liçensohet sipas ligjit, sërish është antikushtetuese që me ligj të barazohet roli, niveli dhe kompetencat e këtij profesioni me ato që Kushtetuta ia atribuon vetëm Kontrollit të Lartë të Shtetit, si institucioni më i lartë i kontrollit financiar në Republikën e Shqipërisë".

Në letrën e bërë publike, Meta paralajmëron Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se atë që nuk mund të realizojë ky Institucion, do ta bëjë Kuvendi i Ardhshëm.

"Përmes kësaj letre, i kërkoj gjithashtu Kontrollit të Lartë të Shtetit që të angazhojë të gjitha burimet njerëzore për të realizuar një kontroll të plotë të mënyrës së përdorimit të fondeve publike nga i gjithë pushteti vendor, derisa Kuvendit të Shqipërisë dhe pushtetit vendor t`i kthehet legjitimiteti i plotë pas datës 25 prill 2021, për të rimarrë në shqyrtim këtë çështje kaq delikate të krijuar nga neni 50, i ligjit nr. 68/2017, i miratuar pa vëmendjen e merituar të anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Jam i bindur se atë që nuk mundi ta realizojë Gjykata Kushtetuese, do ta realizojë Kuvendi i Shqipërisë, që do të dalë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 25 prillit, i cili përpos shumë detyrave të tjera për rivendosjen e shtetit të së drejtës, garantimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, do të ndërmarrë pa asnjë vonesë edhe nismën legjislative për ndryshimin e nenit 50 të ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.

Kërkesa e KLSH u rrëzua para një muaji duke i hapur rrugë kontrollit dhe nga auditues të tjerë të cilët do të kenë akses për të kaluar në filtër shpenzimet dhe të ardhurat në institucionet publike.

Dokumenti i plotë:

Dokumenta bashkëngjitur