Aktualitet

Ministria e Arsimit-maturantëve: Sillni pyetjet jashtë programit që t’i heqim nga vlerësimi!

Ministria e Arsimit-maturantëve: Sillni pyetjet jashtë programit

Nuk do të ketë rivlerësim të testit të Letërsisë për Maturantët. Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi, shprehet se pretendimet e maturantëve nuk qëndrojnë, pasi nuk ishin jashtë programit.

Pavarësisht kësaj u kërkoi maturantëve që të çojnë ankesat konkrete për pyetjet që mendojnë se janë jashtë programit, në mënyrë që të adresohen duke i hequr nga vlerësimi. QSHA rrëzon pretendimet e maturantëve duke deklaruar se testi nuk ka pasur gabim shkencor.

QSHA thotë se në testet e radhës maturantët do të jenë 30 minuta më shumë kohë për provimet. Vrapi sqaroi se një nga arsyet pse testi u bë vetëm me alternativa, ishte ajo e korrigjimit, për shkak të pandemisë.

“Asnjë pyetje nuk është jashtë programit. Dua të bëj me dije se mënyra si bëhen pyetjet ka një procedurë rreptësishtë të rregullt. Ne ndjekim procedura të përcaktuara në metodologjinë tonë, që kanë lidhje me nivelin e vështirësisë. Teza kalon në dy duar, që mbajnë përgjegjësi për anën shkencore dhe strukturore të testit. Në këtë kuadër, ftohen nxënësit të sjellin pranë QSHA ankesat konkrete për pyetjet që mendojnë se janë jashtë këtij programi në mënyrë që të adresohen duke i hequr nga vlerësimi. Procesi nuk ka përfunduar ende do bëjmë analizën, pastaj shpalljen e rezultateve. Nuk ka mundësi rivlerësimi, pasi testi nuk ka asnjë gabim shkencor. Pas datës 18 qershor ne do të bëjmë shpalljen e rezultateve dhe variatet. Ekipet thonë se nuk ka asnjë problem nëse mësuesit kanë diçka konkrete ta diskutojmë në një tryezë. Për sa i përket dy testeve të ardhshme të Maturës Shtetërore, bëjmë me dije se ata do të jenë me kohëzgjatje 2.5 orë dhe me alternativa”, tha drejtoresha Vrapi.

Lexo me shume: