Aktualitet

Mira Rakacolli për vaksinën kineze: Është kompania që ka prodhuar vaksinën kundër tërbimit dhe shumë serioze

Mira Rakacolli për vaksinën kineze: Është kompania që

Zv.ministrja e Shëndetësisë, njëherësh kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli e ftuar tek “Ilva Now” ka shpjeguar në hollësi detaje mbi vaksinën kineze. Rakacolli e vë theksin tek serioziteti i kompanisë që ka prodhuar CoronaVac, pra vaksinën kineze dhe shton se është e njëjta kompani që ka krijuar vaksinën e tërbimit, që shpëton kushedi se sa jetë njerëzish.

“Nuk ka absolutisht asnjë arsye të mendohet që vaksina kineze ka ndonjë problem qoftë teorikisht, qoftë edhe praktikisht. Teorikisht është një vaksinë e cila ka një virus të inaktivizuar, pra siç është parimi bazë i shumicës së vaksinave që ne kemi bërë deri tani. Kompania që e prodhon Sinovac në rastin e CoronaVac-ut është një kompani me një eksperiencë jashtëzakonisht të mirë në fushën e vaksinimit. Është edhe kompania që ka prodhuar vaksinën e tërbimit dhe kur na kafshon qeni me vrap duam të bëjmë vaksinën e tërbimit dhe nuk themi ndonjëherë që është kineze dhe nuk e bëjmë. Dhe ajo që është më kryesorja, është që kjo vaksinë është provuar. Ka studime të mirëfillta shkencore të cilat kanë treguar efikasitetin e saj dhe është provuar në praktikë. Përveç studimeve është provuar në praktikë. Me vaksinën kineze, me Sinovac-un më saktë, janë vaksinuar personel shëndetësor në Turqi, janë mbi 10 milionë njerëz”, tha Rakacolli.