Aktualitet

Mjekët mes pandemisë dhe politikës/ Denaj: Kalon brenda shtatorit rritja me 40%. Basha u premton 1200 euro

Mjekët mes pandemisë dhe politikës/ Denaj: Kalon brenda shtatorit

Mjekët dhe infermierët ishin kryefjala në emisionet e kësaj mbrëmje. Disa prej tyre kanë paralajmëruar protestë në oborrin e QSUT-së ditën e nesërme në orën 11:00.

Ata kanë katër kërkesa për qeverinë:

1. Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm.

2. Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.

3. Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.

4. Personelit shëndetësor të çdo niveli t'i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standarteve kombëtare dhe ndërkombëtare.

-Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastiriu nga emisioni Real Story, tha se kryeministri Rama e ka premtuar që në 2021-shin do ketë 40 % të rritjes së pagave, plus bonuset në luftën kundër pandemisë.

'Deklarata e kryeministrit për rritjen e pagave tregon vlerësimin për mjekët, infermierët dhe gjithë personelin shëndetësor. Në vitin 2021 do të kemi rritje historike të pagave me 40%. Në 7 vjet qeverisje rritëm me 26% pagat e mjekëve dhe me 27% pagat infermierëve'.

Ndërkohë që Kreu i PD-së Lulzim Basha premtoi sot se rrogat e mjekëve në qeverinë e tij do bëhen 1200 euro dhe 700 euro për infermierët.

Për pagat e mjekëve u pyet dhe ministrja e Financave Anila Denaj në Open, e cila bëri me dije se rritja e pagës me masën 40 % do kalojë me vendim qeverie brenda këtij muaji. 

 “60 milion dollarë do të jetë rritja dhe kjo do jetë për të gjithë vitet. Pagat e mjekëve dhe infermierëve do kalojnë me Vendim Qeverie brenda muajit shtator. Pagat e mjekëve janë zëri më i rëndësishëm. Ne po flasim për një rritje të dytë të rëndësishme, mbas rritjes 21% të bërë para disa vitesh”.

Ministrja u pyet për akuzat e PD se shumë mjekë nuk kanë marrë shpërblimin e premtuar në luftën me koronavirusin. Ajo u përgjigj:

 “Vendimet e qeverisë për bonusin janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Nëse ka një denoncim që nuk është dhënë pagesa për një mjek, thesari duhet të lëvizë. Nuk është çështje e përgjithshme, por raste individuale”.

Ndërkaq, do ketë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët do të bisedojnë ditën e nesërme me mjekët dhe infermierët protestues.