Aktualitet

Mjeku Alimehmeti: Të vaksinuarit me dy doza Coronavac, duhet të marrin një dozë të tretë Pfizer ose AstraZeneca

Mjeku Alimehmeti: Të vaksinuarit me dy doza Coronavac, duhet të marrin

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti është shprehur se vaksina kineze “Coronavac” ka qenë më pak efektive në imunizim përkundrejt koronavirusit se vaksinat e tjera të prodhuara në perëndim. Niveli i imunizimit është edhe më i ulët për variantin më agresiv “delta”.

Për pasojë sipas tij është e rëndësishme që ata që nuk e kanë kaluar sëmundjen më parë dhe kanë marrë dy doza Coronavac të marrin edhe një dozë tjetër përforcuese AstraZeneca apo Pfizer, në varësi të disponueshmërisë.

“Efikasiteti për çdo lloj vaksine ka rënë nga varianti Delta. Për pjesën e sëmundjes së rëndë dhe hospitalizimit, studimet tregojnë që AstraZeneca ka 92% dhe Pfizer e ka 96% efikasitet (të dhëna nga Anglia), ndërsa vaksinat e tjera nuk e kanë këtë të dhënë dhe kjo është ajo që na intereson më shumë.

Ajo që mund të shtohet është, nëse personi që ka bërë Coronavac edhe e ka kaluar më përpara sëmundjen nuk ka nevojë për dozën e tretë. Kurse personat që nuk e kanë kaluar Covid-19 dhe kanë marrë dy doza, atëherë mund të mendohet për t’u futur në vaksinim dhe unë do këshilloja të merrte dozë të tretë Pfizer ose Astra Zeneca, ndër këto që kemi”- ka thënë mes të tjerash epidemiologu Alimehmeti.

Tiranapost.al