Kryeministri Rama ka reaguar për herë të parë pas risjelljes në vëmendje të çështjes së financimeve ruse në PD. Në një konferencë shtypi, nisur nga takimi i fundit i ambasadores amerikane me kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, Rama u pyet:
Pyetja e gazetares: A ka shprehur ambasadorja shqetësimin e SHBA-së për ndonjë financim të mundshëm rus në PS?
Rama tha: PS financime ruse? Apo po e ktheni në anën e kundërt tani? Po e trajtoni me të drejtë këtë temë se ka riardhur në qendër të vëmendjes nga publikimi i SHBA, por kjo nuk është një temë e re apo e panjohur nga ne. Kjo është një temë që kur e kemi hapur ne na kanë përqeshur, edhe ata që sot e përdorin për politikën e tyre të brendshme, as një pjesë e mediave apo politike, përveç PS-së nuk ka marrë përsipër të thellohet në këtë drejtim. Ka qenë një skërmitje e madhe për ta mohuar me të qeshur këtë çështje dhe ja ku jemi sot. Sot duhet t`i drejtoheni prokurorisë dhe drejtësisë që mbylli hetimin. është për të ardhur keq që sot që skandalizoheni me këtë lajm. Jo se duhet të na besonin ne kur kjo çështje u hap, por duhet të bënin detyrën e tyre. Detyra e tyre nuk është që sa herë flas unë apo PS të skërmisin dhëmbët e të lëshojnë fjalë nga më të rëndat.
BBC, CNN dhe AFP publikuan në fillim të kësaj jave rezultatet e një raporti në të cilin thuhej se Rusia ka financuar disa parti politike për të rritur influencën e saj. Mes tyre përmendej një financim rus prej 500 mijë dollarësh për Partinë Demokratike të Shqipërisë, në zgjedhjet e vitit 2017.