Nëse virusi qarkullon, do detyrohet mbyllja e disa bizneseve!
Biznese dhe kompani të ndryshme ne të gjithë vendin po kontrollohen nëse zbatojnë masat e sigurisë. Në një video ku tregohet mënyra sesi kryhet kontrolli nga task-forca, vjen edhe një paralajmërim nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu:
“Nuk është një aksion momental, por duhet të jetojmë me rregulla. Duhet të bashkëjetojmë me një virus, që cenon më të dobëtit. Nëse ne vijojmë mos të zbatojmë rregullat, ne do shkojmë në një pikë ku s’do kemi kapacitet për të trajtuar dhe numri i fataliteteve do të rritet. Nëse virusi qarkullon do të detyrohet mbyllja e një biznesi apo aktiviteti, se do infektohen punonjësit, se virusi vetvetiu të mbyll. Jemi në kohë për të ndërgjegjësuar të gjithë qytetarët dhe bizneset. S’do jemi tolerant kur bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve”.
Ministrja bëri me dije se masat që do të merren për bizneset ku konstatohen shkelje do të nisin me gjobë dhe në rast ripërtëritjeje do të bëhet pezullimi i tyre për 6 muaj.
“Masat dhe gjobat do të vihen, tolerancë nuk ka, nëse do ketë përsëritje do ketë pezullim të aktivitetit, deri në 6 muaj. Nëse duam të hapen kufijtë kjo varet nga ne. Kërkohet një sakrificë e vogël, mbajtja e maskës, të mësuarit me një element të ri, distanca 1.5 metër dhe zbatimi i protokolleve në punë”, tha Manastirliu.