Aktualitet

Na u plotësua vetëm një kusht! Maturantët kërkojnë ballafaqim me ministren Kushi

Na u plotësua vetëm një kusht! Maturantët kërkojnë

Ministria e Arsimit pranoi kërkesën e maturantëve për të ulur nivelin minimal të pikëve për çdo notë, kjo për shkak të provimit që ka rezultuar me pyetje të vështira. Por disa prej maturantëve kanë thënë se kjo është vetëm një mënyrë për të larguar maturantët nga rruga dhe protesta që kanë parashikuar ditën e sotme në orën 17:00 dhe se deklarata duhet të jetë më bindëse. Ata thonë se kanë edhe kërkesa të tjera të cilat duhen plotësuar dhe një prej tyre është ballafaqimi me ministren e Arsimit Evis Kushi.

Për mediat, një prej maturantëve ka thënë:

"U njohëm me vendimin e Ministres dhe e bën që të na zbusë ne. Ajo ishte një nga kërkesat, ne kemi dhe të tjera. Ne duam ballafaqim me ministren”.

Ata kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë provimin me zgjedhje që zhvillohet nesër: 'Nëse bëhemi një grup i madh që nuk pranojmë, nuk do të futemi në provim, po na digjet e ardhmja jonë", tha një tjeter maturante.

Prej dy ditësh ata protestuan duke thënë se teza e Matematikës ishte shumë e vështirë dhe se pyetjet janë marrë të gatshme në gjuhën angleze dhe se ishin përkthyer në mënyrë skandaloze.

Disa prej maturantëve kanë kërkuar përsëritjen e provimit me pyetje të tjera, ndërsa të tjerë kanë kërkuar vlerësim me optimal për shkak të kushteve të pandemisë dhe mësimit online.

*Tiranapost.al.