Aktualitet

Naftëtarët e Ballshit në ditën e katërt të grevës. Shfaqin probleme shëndetësore

Naftëtarët e Ballshit në ditën e katërt të

Naftëtarët e Ballshit janë në ditën e katërt të grevës. Më shumë se dhjetë prej tyre janë vendosur pranë rafinerisë dhe kërkojnë një zgjidhje për pagat e prapambetura dhe përmirësimin e kushteve të punës nga kompania azere. Mësohet se disa prej tyre kanë filluar të shfaqin probleme shëndetësore, dhimbje koke dhe lodhje fizike për shkak të mosushqyerjes.

Ata thonë se askush nuk po interesohet për ta, pavarësisht protestave të shumta dhe kërkesave drejtuar ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Grevistët thonë se asnjë mjek nuk ka shkuar ti vizitojë, por edhe nëse gjendja e tyre përkeqësohet ata thonë se nuk do të lëvizin deri sa dikush tu japë zgjidhje problemeve të tyre. Kreu i sindikatës, Sokol Dautaj është shprehur se ata kanë hyrë në grevë për të vdekur dhe jo për tu mjekuar.

 “Gjendja ka filluar të rëndohet. Disa nga kolegët tanë kanë dhe sëmundje të tjera shoqëruese që nuk i kanë trajtuar prej kohësh për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Lagështira bën punën e vetë. Sot na është bashkuar dhe një koleg i Poçemit pasi kanë të njëjtin problem. Në grevën muajit shkurt kanë ardhur disa ambulanca ndërsa sot nuk ka. Ne nuk kemi hyrë në grevë jo për të marrë shërbim nga qendra shëndetësore por për të vdekur. Dihet që greva e urisë shprehet derisa ne të shkojmë në limitet e jetës” .

Naftëtarët e Ballshit në ditën e katërt të

Naftëtarët kërkojnë pagë më të mirë dhe kushte më të sigurta pune nga kompania azere Allum. Denoncojnë kontratat e punës duke thënë se nuk u është hedhur rroga, prej muajsh.

Por kush duhet ti paguajë ata?

Në intervistë për Klan me datë 16 shtator,  zv/ ministri i Financave Ilir Bejtja ka thënë se rafineria e Ballshit është një biznes privat dhe jo shtetëror dhe si pasojë duhet ti paguajë kompania private azere me emrin Allum Energy. Bejtja bëri me dije se pagat e prapambetura të naftëtarëve i përkasin periudhës së vitit 2015- 2016.

I pyetur se pse paratë i kërkojnë nga qeveria, Bejtja tha:

'E dinë ata, qeveria në çdo lloj rasti që në momentin e privatizimit në 2008-ën ka qenë aksionere minoritare, vetëm 15%. Kompania ka qenë në pronësi mbi 85% të AMRA Group dhe TEXAS Refinery të cilët përbëjnë edhe konsorciumin kryesor në momentin e privatizimit. Ky grup e ka operuar uzinën në forma të ndryshme'.

Kryeministri Rama para dy javësh, takoi në Turqi presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aljev. Ai postoi një foto me presidentin dhe me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku ku kërkonte angazhimin e Aljev për të zgjidhur problemin.

‘Prekëm konkretisht edhe çështjen e Rafinerisë së Ballshit, ku së fundmi është përfshirë një kompani azere, duke kërkuar dhe marrë angazhimin e Presidentit për të ndihmuar në zgjidhjen afatgjatë të problemit të krijuar nga privatizimi famëkeq i viteve më parë’.