Aktualitet

Naftëtarët e Ballshit nesër për protestë në Tiranë: Jemi tallur, situata u bë e padurueshme

Naftëtarët e Ballshit nesër për protestë në

Ende nuk është gjetur zgjidhja mes naftëtarëve të Ballshit, kompanisë azere dhe shtetit shqiptar. Për këtë arsye ata nesër njoftojnë se do të mblidhen për të protestuar në Tiranë, para ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në njoftimin që kanë shpërndarë në rrjetet sociale ata shprehen se kanë thuajse 20 rroga pa marrë, kanë 11 muaj që nuk punojnë dhe nuk kanë me çfarë të ushqejnë fëmijët. Ata i kërkojnë shtetit zgjidhje pasi janë 800 naftëtarë.

Njoftimi i plotë:

Prej shumë vitesh ne, naftëtarët e Ballshit, jemi vjedhur, tallur e nëpërkëmbur nga pronarët dhe pushtetarët. Kemi thuajse 20 paga pa marrë, edhe pse i kemi fituar me gjyq. Jemi të papunë këta 11 muaj të fundit, pa bukë për fëmijët dhe familjet tona!

Janë të shumtë rastet që naftëtarëve iu është ndërprerë edhe uji e energjia elektrike në shtëpitë e tyre. Jemi pa punë, pa pagë dhe pa perspektivë!

Grevat, protestat dhe manifestimet tona kanë rënë në vesh të shurdhër. Pronarët që na janë prezantuar si seriozë, kanë rezultuar të jenë mashtruesit e radhës. Situata jonë sa ka ardhur dhe është rënduar: tashmë është bërë e padurueshme!

Të ndodhur në këtë situatë, kemi vendosur që protestën ta zhvendosim në Tiranë, te Ministria e Energjisë, Parlamenti, Kryeministria dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Këta institicione, që janë shkaktarë të situatës ku jemi, duhet të japin zgjidhje njëherë e mirë për 800 naftëtarë, 800 familje dhe gjithë krahinën e Ballshit!

Ju bëjmë thirrje gjithë naftëtarëve që të bashkohen ditën e nesërme, 17 SHTATOR, ORA 11:00, PARA MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË!

Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës të solidarizohen dhe t’na mbështesin në kërkesat tona.

BASHKOHEMI PËR TË DREJTAT TONA, PËR DJERSËN E BALLIT DHE BUKËN E FËMIJËVE!

PUNË, PAGË, PERSPEKTIVË!

Naftëtarët e Ballshit nesër për protestë në

-Ndërkaq kryeministri Rama dy ditë më parë pati një takim me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aljev, ku premtoi zgjidhjen e situatës.

Rama shkruante në Facebook:

“Prekëm konkretisht edhe çështjen e Rafinerisë së Ballshit, ku së fundmi është përfshirë një kompani azere, duke kërkuar dhe marrë angazhimin e Presidentit për të ndihmuar në zgjidhjen afatgjatë të problemit të krijuar nga privatizimi famëkeq i viteve më parë”.