Aktualitet

Rama: Dilni nga greva dhe të nisim bisedimet! I përgjigjen naftëtarët: Hajde në këtë dhomë, se po u larguam do na harrojnë

Rama: Dilni nga greva dhe të nisim bisedimet! I përgjigjen

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje naftëtarëve të Ballshit që të lënë grevën e urisë, për të nisur bisedimet, dy ditë pasi ata i kërkuan që kreu i qeverisë të shkonte t'i takonte dhe se nuk do ta linin protestën derisa të firmosej marrëveshja. Kreu i qeverisë u përgjigjet atyre duke thënë se kjo çështje nuk zgjidhet as me presione as me ultimatume.

Postimi i Ramës në Twitter:

Naftëtarët duhet të dalin nga greva që të bisedojmë për të mos i lënë vetëm në këtë hall që as e ka shkaktuar qeveria, as zgjidhet me presion e me ultimatume! Ne nuk kemi shkop magjik, po kemi gjithë vullnetin të lehtësojmë situatën. Me logjikë dhe solidaritet si një familje.

Ndërkohë naftëtarët iu përgjigjën menjëherë Ramës, duke thënë se refuzojnë që të lënë grevën, duke e ftuar që bisedimet të bëhen në dhomën ku aktualisht po mbahet greva.

"Unë i kthej përgjigje Ramës dhe Ballukut, nuk kemi dalë dhe nuk kemi bërë presione dhe nu kemi kërkuar asgjë të pamundshme, kemi kërkuar një vendim gjyqi që na jep të drejtë të pagës tona. takimi është te ato nëna tona që janë grevë uri, s'kemi pse bëjmë takime për të cilat ne nuk jemi pritur, kemi shkruar në tiranë të Rama dhe Balluku dhe jo vetëm nuk kemi marrë përgjigje po as nuk na pritën e takim. Sot në emër të atyre motrave që po dergjen atje i themi që takimi me naftëtarët është këtu dhe atë shesh dhe në atë dhomë. Sa për shkop magjik ai e di se si zgjidhen, me një mbledhje të Këshillit të Ministrave. Duke lënë grevën e urisë ne jemi të harruar. Të vij të na jap të drejtën që na takon, ne nga greva nuk dalim", tha një prej naftëtarëve.

Ndërkohë dy ditë më parë naftëtarët iu përgjigjën thirrjes së kryeministrit Edi Rama për të ndërprerë grevën duke thënë se ai është i mirëpritur në Ballsh për të negociuar dhe për të gjetur një zgjidhje. Ata janë shprehur se nuk do të ndërpresin grevën e urisë deri sa të firmoset dokumenti dhe të zgjidhet halli i tyre.