Aktualitet

Ndahet nga jeta gazetarja Afërdita Selimi

Ndahet nga jeta gazetarja Afërdita Selimi

Është ndarë nga jeta gazetarja e Radio Televizionit Shqiptar Afërdita Selimi. Afërdita ndërroi jetë në moshën 68-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Lajmi u bë i ditur përmes një postimi nga Lidhja e Gazetarëve Ekonomikë të Shqiperisë.

Ndahet nga jeta gazetarja Afërdita Selimi

“LAJM I TRISHTË! Me pikëllim po ju njoftoj për ndarjen nga jeta të koleges dhe shoqes sonë Afërdita Selimi. Afërdita, një prej gazetareve më të suksesshme të ekonomisë në vendin tonë, ndërroi jetë e qetë pranë familjes së saj, pas një sëmundjeje të gjatë, thuhet në postim.

Afërdita e nisi rrugën e gazetarisë në vitin 1977, pasi kreu studimet e larta në fakultetin e Shkencave Politike, Dega Gazetari. Fillimisht ajo kontribuoi në gazetë lokale “Shkëndia” në Lushnjë dhe më pas gjithë jetën si gazetare në RTSH.

Afërdita Selimaj do të mbahet mend për përkushtimin në emisionet sociale-ekonomike, duke kontribuar me pasion edhe në shumë fusha të gazetarisë radiofonike dhe televizive. Ajo ka qenë një ndër themelueset e gazetarisë ekonomike në Shqipëri, duke u bërë frymëzim dhe mbështetje për të gjithë gazetarët e kësaj fushe.

Aferdita la pas në arkivin e Radio Tiranës dhe RTSH, me mijëra kronika dhe shumë emisione, mes të cilëve “Cikli Otranto 97”, “Shqiptarët dhe fajdet” e të tjerë.

Në vitin 2000, ajo u emërua Drejtore e Departamentit të Lajmeve në Radio Tirana, pozicioni që e mbajti deri në gusht të vitit 2003. Më pas ajo drejtoi plot pasion sektorin për bashkatdhetarët në Radio Tirana.

Në vitin 2003, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, Afërdita ka qenë Kryetare e parë e Bordit të Monitorimit të Medias, pranë KQZ-se.

Si gazetare RTSH-së Afërdita Selimaj, ka qenë e vetmja gazetare pranë ekipit negociator shqiptar në Gjenevë, për antarësimin e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Nga viti 1998 e në vazhdim, Afërdita ka drejtuar me përkushtim Lidhjen e Gazetarëve Ekonomike të Shqipërisë, LEGA.

Për kontributin e saj mediatik në dekada Afërdita Selimaj në vitin 2021, nderohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i Madh” .

Por gjatë jetës dhe veprimntarisë së saj ajo u nderuar edhe me çmimin “Vangjush Gambeta” nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, për raportin më të mirë radiofonik, për problemet ekonomike.

Ndërsa Federata Ndërkombëtare për Paqen në Botë në vitin 1999 e zgjodhi Ambasadore të Paqes. Me ndarjen e saj nga jeta, humbëm një nga gazetaret më të jashtëzakonshme dhe kontribuese të shquar në fushën e informacionit dhe gazetarisë ekonomike.