Aktualitet

Ndërron jetë shkrimtari i njohur dhe përkthyesi Faslli Haliti

Ndërron jetë shkrimtari i njohur dhe përkthyesi Faslli Haliti

Ka ndërruar jetë në moshën 85 vjeçare shkrimtari, dhe një nga zërat e rëndësishëm të historisë letrare, Faslli Haliti. Lajmin e ka bërë me dije 'Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit', ku i shpreh ngushëllimet e thella familjarëve të shkrimtarit të lindur në Lushnjë.

Faslli Haliti ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 - 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën Dielli dhe rrëkerat, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit.

Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë.

Është Qytetar Nderi i qytetit të Lushnjës. Është Nderi i Qarkut Fier. Ka fituar çmimin e madh "Poeti më i mirë i vitit" - 2017, dhënë nga Fondacioni Kulturor "Harpa". Është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.

- Poezi nga Faslli Haliti 

EDHE UNË
Kështu janë njerëzit e kësaj bote!
S’ka njerëz
Pa cene,
Pa vese
Pa të meta,
S’ka
Njeri ëngjëll
S’ka njeri Zot,
Edhe unë njeri jam,
Njeri si çdo tjetër njeri,

Pse kërkoni që unë të jem engjëll, perëndi?