Aktualitet

Ndërtimet pa lejë/ Në dy javë janë shembur 61 objekte, 29 të arrestuar dhe 94 milion lekë gjoba

Ndërtimet pa lejë/ Në dy javë janë shembur 61 objekte,

Përgjatë dy javëve nga nisja e operacionit “Bregdeti Ynë” për prishjen e ndërtimeve pa lejë në bregdetin e vendit përpara fillimit të plotë të sezonit turistik, janë shembur 61 objekte të ndërtuara pa lejë.

Lajmin e njofton Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i cili bën me dije gjithashtu se janë arrestuar 29 shtetas për veprën penale të ndërtimit pa lejë, ndërkohë që janë administruar edhe gjoba me vlerë totale 94 milion lekë.

“Gjatë dy javëve të para të operacionit 'Bregdeti Ynë', Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur 61 objekte pa leje në Velipojë, Shëngjin, Durrës e Ksamil. Vlera e gjobave të vendosura deri më tani ndaj subjekteve llogaritet në rreth 94 milionë lekë. Ndërkohë Policia e Shtetit ka arrestuar 29 persona, si dhe ka proceduar penalisht disa të tjerë. Operacioni do të vijojë në të gjitha zonat e bregdetit ku janë konstatuar ndërtime pa leje, për t’i çliruar këto hapësira nga zaptuesit dhe për të mos lejuar askënd që të bëjë çfarë të dojë me territorin. Ka marrë fund koha e të ndërtuarit sipas qejfit në shkelje të ligjit dhe në shumë raste duke dëmtuar mjedisin. Pas vijës bregdetare IKMT dhe Policia e Shtetit do të shtrijnë operacionin e shembjes së ndërtimeve pa leje në pjesë të tjera të territorit”- shkruan ministri Çuçi.

Tiranapost.al