Aktualitet

Raporti paraprak i “Venecias” megjithë vërejtjet i hap dritën jeshile implementimit të Kodit Zgjedhor

Raporti paraprak i “Venecias” megjithë vërejtjet i hap

Komisioni i Venecias i ka cilësuar si të nxituara dhe të pakonsultuara në nivelin e duhur ndryshimet në Kodin Zgjedhor në Shqipëri.

Në raportin paraprak të “Venecias” kërkohet që të gjitha autoritetet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë dhe të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur të sqarojnë ndikimin e ndryshimeve.

Vendimi final i Komisionit të Venecias do të jetë pas një jave, po ajo që bie në sy në këtë raport është fakti që i qëndrohet idesë se Kodi Zgjedhor mund të bëhej më mirë dhe se ka kritika, por lihet të kuptohet se rëndësi ka tashmë implementimi.

Në raport po ashtu theksohet se liderët e partive politike duhet të përmbahen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale dhe sa i takon ndryshimeve në lidhje me koalicionet lidhur me nenin 96 të Kushtetutës për emërimin e kryeministrit duhet të bëhen sqarime.

Për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Komisioni i Venecias thotë se ato i miratuan kundër rregullave më themelore demokratike të hartimit të ligjit.

Për ndryshimin e formulës së koalicioneve Komisioni i Venecias shprehet: “Ndryshimi i formulës së koalicioneve ka pak gjasa të ndikojë në rezultatin zgjedhor; është e vështirë të parashikohet efekti i listave pjesërisht të hapura; ndryshimet hynë në fuqi pasi procesi zgjedhor ka filluar; liderët e partive politike të përmbahen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale”.

Rekomandimet kryesore të Komisionit të Venecias dhe ODIHR që duhen ndjekur para zgjedhjeve parlamentare të Prillit 2021:

-Të gjitha autoritetet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë; ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato;

-Të shmanget çdo ndryshim i mëtejshëm i legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare; në veçanti, caktimi i kufijve të zonave elektorale nuk duhet të ndryshohet;

-Liderët e partive politike të përmbahen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale;

-Të sqarohet ndikimi i ndryshimeve në lidhje me koalicionet lidhur me nenin 96 të Kushtetutës për emërimin e Kryeministrit.