Aktualitet

Akuzat për ndryshimin e vendbanimeve: Kreu i Gjendjes Civile sqaron keqkuptimin me sistemin e adresave

Akuzat për ndryshimin e vendbanimeve: Kreu i Gjendjes Civile sqaron

Qytetarët nuk po zhvendosen nga qendrat e votimit, por sipas kreut të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, është krijuar një sistem i ri adresash, të projektit që nisi në 2019-n duke bashkuar dy regjistrat, regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe atë të adresave.

Doracaj u përgjigj lidhur me disa lajme të publikuara së fundmi ku thuhej se po u ndryshohej adresa për të ndikuar në qendrat e votimit, pa dijeninë e tyre disa qytetarëve si votues të djathtë.

Ai sqaroi procesin në emisionin ‘Ilva Now’ kështu: “Gjatë bashkimit të dy regjistrave... është një numër i konsideruar... nuk dua të hidhem te shifrat, nuk është gabim as mbivendosje, është një numër qytetarësh që nuk janë gjendur në adresën ku jetojnë  apo ku janë deklaruar, por në një adresë tjetër. Gjatë bashkimit të regjistrave qytetarët që janë gjetur gjatë intervistimit u konstatua se ata nuk banojnë aty ku e kanë deklaruar dhe ku janë bashkuar regjistrat u del se vendbanimi u del si për shembull te njësia 5 në Tiranë dhe adresa u del në Kavajë, Vlorë... qytetarëve që kanë shtëpi të dyta. Vendbanimi ndryshohet duke u paraqitur vetë me dokumentacion përkatës te zyra e gjendjes civile ku do të shkojë, ky është një konflikt që është krijuar te adresat, që do të thotë rrjedhimisht as qendrat e votimit as lista e zgjedhjeve, aty ku kanë votuar në 2019-ën, 2017-ën... do të votojnë edhe në 2021-in atje ku kanë votuar, vetëm nëse e kanë ndryshuar vetë vendbanimin më pas. Të gjithë ata që kanë probleme me adresat, nuk kanë probleme me zgjedhjet, ata do jenë aty ku kanë qenë”.

Doracaj u shpreh se ka pasur korrektesë nga stafi i tij për të regjistruar adresat dhe se nuk ka vend për shqetësim për sa i përket listave të zgjedhjeve apo procesit zgjedhor.

Ai u shpreh se prej 30 vitesh që sistemi i adresave nuk punon dhe qytetarët janë marrë vesh me pika referimi popullor, ndërsa tregoi se në vitin 2016 qeveria akordoi një fond për krijimin e një sistemi të ri adresash, procesi kishte të bënte me intervistim në terren të qytetarëve dhe se në vitin 2019 nisi implementimi i projektit duke bashkuar dy regjistrat.

Paraditen e sotme ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj doli sot në konferencë për shtyp duke përgënjeshtruar lajmin, ndërsa tha se qytetarët do votojnë në qendrat ku kanë votuar herën e kaluar, ndryshime arbitrare nga lart nuk do të ketë, përveçse nga vetë qytetarët.