Aktualitet

Letra e Dhimitër Anagnostit për fëmijët e tij dhe brezat! Duhet bërë kujdes në ndërtimin e jetës

Letra e Dhimitër Anagnostit për fëmijët e tij dhe brezat!

Sot në 85-vjetorin e ditëlindjes së Dhimitër Anagnostit, kineasti ynë i famshëm është nderuar me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastriot Skenderbeu” nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Në komunikimin me gazetarët ai vlerësoi këtë si ditë të veçantë dhe falenderoi të gjithë ata me të cilët ka punuar, veprat e të cilëve siç u shpreh ai do të jetojnë edhe në brezat që do të vijnë.

“Eshtë një ditë e veçantë për mua. Kur njerëzit e artit dhe të kulturës janë këtu. Dua të falenderoj të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar vite të tëra që bashkë kemi lëvizur nëpër vendin tonë dhe bëmë ato vepra të filmit, sepse unë jam kineast. Dhe kineasti bën një vepër që jeton edhe në brezat që vijnë më pas. Sigurisht e di që sot nuk jam i qetë për të folur sepse e ndjej që emocioni më dominon”, tha Anagnosti.

Në krah të regjisorit është bashkëshortja e tij aktorja e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artiste e Merituar” Roza Anagnosti, e cila lexoj letrën e bashkëshortit të saj teksa shpjegoi se “Dhimitri e ka të vështirë”. 

“Meqënë që Dhimitri e ka të vështirë, ky shkruan, unë po ja lexoj. Ndodh shpesh që ne interpretojmë, por në këtë rast po ja lexoj”, tha aktorja dhe nisi leximin e letrës së kineastit në të cilën shkruhej: “Dikur, diku kam shkruar: në pleqëri, njeriut i dobësohet shikimi sepse nis të shohë më tepër brenda vetes sesa jashtë saj. Biologjikisht jam i pavdekshëm sepse ADN-ja ime udhëton në përjetësi nëpërmjet brezave në vijim. I them këto rreshta që të bisedoj me fëmijët e mi, me fëmijët tyre me breza më tej e më tej për të kuptuar cfarë i jep jetës nxitje, energji e kuptim. Si të jetohet ajo më mirë në kuptimin material, intelektual, moral dhe emocional.

Duhet bërë kujdes në ndërtimin e jetës. Ta ngremë kokën hera herës nga problemet e përditshme dhe të shikojmë Yllin Polar për të mos humbur drejtimin e rrugëtimit në këtë vend, në këtë truall, ku brezat kanë derdhur energjitë fizike, intelektuale, morale, shpirtërore, rrezatohet një energji misterioze e shumëllojshme, që ta bën jetën më të lehtë, më të plotë, më me kuptim: Energjia e memorjes historike”.

Dhimitër Anagnosti filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” të të njëjtit vit, e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë realizoi i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.

Në karrierën e tij disavjeçare ai ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.