Aktualitet

Në hetim dy qytetarë që tentuan të kalonin nga Rinasi me test të falsifikuar Covid-i

Në hetim dy qytetarë që tentuan të kalonin nga Rinasi me

Dy persona po hetohen në gjendje të lirë, pasi u zbulua se po tentonin të kalonin kufirin përmes Rinasit me teste të falsifikuara të Covid-it, me rezultatin negativ. Në njoftimin e policisë thuhet se njëri prej tyre do udhëtonte drejt Gjermanisë, ndërsa gruaja do të udhëtonte drejt Athinës. Policia ka shkuar në klinikat mjekësore që lëshojnë përgjigjen e testeve, për të vërtetuar dokumentacionin dhe përgjigjen.

Personat nën hetim janë:

-Gj. D., 45 vjeç, banues në Fushë-Mamurras, Laç.

-P. M., 43 vjeçe, banuese ne fshatin Kostur të Hasit

Ata po hetohen në gjendje të lirë për veprën penale “Falsifikimi i formularëve, i vulave ose i stampave”.

Njoftimi i plotë:

Vijon puna nga ana e Policisë Kufitare, për parandalimin e goditjen e paligjshmërisë.
Tentuan të kalonin kufirin me test të falsifikuar të COVID-19, për të udhëtuar drejt Gjermanisë dhe Athinës, procedohen penalisht 2 shtetas.
Në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, nisur dhe nga informacionet e marra në rrugë operative, si dhe nga komunikimi me autoritete të tjera ligjzbatuese, është marrë informacion që persona të ndryshëm po përdorin teste të COVID-19, të falsifikuara pjesërisht dhe totalisht.
Nisur nga kjo situatë është bërë një kontroll dhe verifikim më i hollësishëm i dokumentacionit dhe i testeve të COVID-19, në bashkëpunim dhe me klinikat mjekësore që lëshojnë këto teste.
Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar dhe goditur dy raste, konkretisht:
Gjatë përpunimit të të dhënave të pasagjerëve që udhëtonin drejt Gjermanisë është dyshuar se shtetasi Gj. D., 45 vjeç, banues në Fushë-Mamurras, Laç, ka paraqitur një test të falsifikuar të COVID-19. Pasi është komunikuar me klinikën përkatëse ka rezultuar se testi që kishte paraqitur ky shtetas ishte i falsifikuar.
Gjithashtu, gjatë përpunimit të të dhënave të pasagjerëve që udhëtonin drejt Athinës është dyshuar se shtetasja P. M., 43 vjeçe, banuese ne fshatin Kostur, Has, ka paraqitur një test të falsifikuar të COVID-19. Pasi është komunikuar me klinikën përkatëse ka rezultuar se testi që kishte paraqitur kjo shtetase ishte i falsifikuar.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, të dy shtetasit e lartpërmendur janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale "Falsifikimi i formularëve, i vulave ose i stampave".
Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave që kanë kryer falsifikimin e këtyre dokumenteve.
Shërbimet e Policisë Kufitare në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar në vend po intensifikojnë kontrollet duke bashkëpunuar ngushtë edhe me autoritete e tjera të zbatimit të ligjit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në të gjitha fushat.

*Tiranapost.al