Aktualitet

Në pranga dy zyrtarë të Këshillit të Qarkut Vlorë, falsifikuan disa dokumente

Në pranga dy zyrtarë të Këshillit të Qarkut Vlorë,

Policia e Vlorës ka vënë në pranga dy zyrtarë me akuzën për falsifikim dokumentesh. Arrestimi u bë pas investigimeve të operacionit të koduar “Formulari”. Në pranga është vënë edhe një qytetar nga Himara.

"Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale e falsifikimit të dokumentave dhe Shpërdorimit të detyrës nga persona që ushtrojnë funksion publik, pas një hetimi disa mujor, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiar, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin e koduar “Formulari”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasve:

-Bardhyl Gjika, 60 vjeç, banues në Vlorë.
-K. M., 37 vjeç, banues në Vlorë.
-S. D., 51 vjeç, banues në Himarë", njofton Policia.

Shtetasi Bardhyl Gjika, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me specialistin e kësaj drejtorie shtetasin K. M, dhe shtetasin S. D., dyshohet se kanë falsifikuar formularët e AMTP dhe Formularin nr.6 për regjistrimin e një pasurie (truall), në fshatin Dhërmi.

Materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorise pranë Gjykatës së Shkallës së Vlorë.