Aktualitet

Në sezonin veror policët do punojnë 12 orë në ditë. Puna jashtë orarit do të paguhet

Në sezonin veror policët do punojnë 12 orë në

Nga dita e nesërme, konkretisht datë 15 qershor, efektivët e Policisë së Shtetit, përgjatë tre muajve të verës në sezonin turistik do të punojnë me 12 orë në ditë. Çdo vit për mbarëvajtjen e sezonit turistik në zonat bregdetare dërgoheshin efektivë nga Tirana për shërbime gjatë sezonit turistik. Këtë vit kjo nuk do të ndodhë.

Mësohet se me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakut, është hequr kufizim i pagesës së orëve shtesë, ku efektivët paguheshin vetëm 16 orë shtesë në muaj. Efektivët do të paguhen për të gjitha orët shtesë, ku në një muaj do të paguhen përveç pagës edhe 104 orë të tjera shtesë.

Urdhri i firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku hyn në fuqi nga data 15 qershor deri më 15 shtator. Po ashtu më datë 1 korrik hyn në fuqi edhe rritja e pagave për punonjësit e policisë dhe do t’u paguhen edhe 6 muajt e parë të vitit 2024 lekët e ushqimeve dhe sipas ministrisë së Brendshme nga 1 korriku lekët e ushqimeve efektivët do t’i marrin çdo muaj.