Aktualitet

Në shkurt nis vaksinimi i të moshuarve në Shqipëri, specialistja e ISHP tregon grafikun si do veprohet

Në shkurt nis vaksinimi i të moshuarve në Shqipëri,

Me dozat e parë të vaksinës përmes skemës Covax që pritet të mbërrijnë në muajin Shkurt, do të vaksinohen mjekët e mbetur nga skema e parë dhe të moshuarit nga shtëpitë e kujdesit, dhe më pas të tjerë të ndarë në kategori. Ekspertët në vend kanë përgatitur grafikun për mënyrën se si do të procedohet.

Për Klan, Erida Nelaj, specialiste e ISHP tregon:

 “Në planifikimin e parë janë mjekët e linjës së parë, mjekët e spitaleve rajonale, pneumologë por do të kemi dhe vaksinime paralele, përveç këtyre ne do fusim dhe vaksinimin e të moshuarve në shtëpitë e të moshuarve”.

1200 dozat e para të vaksinës Pfizer që mori Shqipëria ishin falas, me të cilat vijon vaksinimi i të mjekëve të spitaleve Covid. Mjekët që e kanë kaluar virusin po ua lënë radhën të tjerëve që ende nuk kanë rënë në kontakt.

 “Sugjerimi është që të vaksinohen dhe nëse e kanë kaluar Covid, gjithsesi listat paraprake përgatiten në spital, dhe nëse e kanë kaluar rishtas mund t’ju a lënë radhën të tjerëve po normalisht janë paraqitur mjekë, infermier që e kanë kaluar shumë herët”, thotë specialistja Nelaj.

Ndërsa, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tani janë vaksinuar 500 mjekë infermierë dhe epidemiologë në qarkun e Tiranës.

*Tiranapost.al