Aktualitet

Në Shqipëri po qarkullon një lloj i ri i virusit

Në Shqipëri po qarkullon një lloj i ri i virusit

Në Shqipëri po qarkullon një lloj i ri i virusit, por ende nuk është identifikuar se nëse kemi të bëjmë me mutacionin e Britanisë, Afrikës së Jugut apo Brazilit. Këtë e ka konfirmuar nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku.

Në një intervistë të dhënë mbrëmë për Euronews.al ai tha:

“Eshtë virus ndryshe, eshtë koronavirus, por ndryshe nga koronavirusi që ka qarkulluar deri më tani në vendin tonë. Por, nuk jemi akoma në gjendje të themi që është nga Brazili, apo i Afrikës së Jugut apo Anglisë".

I pyetur për identifikimin e këtij mutacioni, doktori tha se ende nuk është arritur në fazën finale të identifikimit.

Për nëndrejtorin e ISHP-së, situata me koronavirusin në vend duhet të merret me seriozitet, nisur nga rritja e numrit të të infektuarve:

“Unë do të konsideroja që më mirë të ngremë alarmin sesa të flemë mbi dafina. Gati 900 raste në ditë është një situatë që ne duhet ta marrin shumë seriozisht”.

Ai shton se ndoshta jemi në ditët më të këqija të përhapjes së virusit në vend.

“Nuk duhet t’ia lemë rastësisë, duhet realisht të reflektojmë që e keqja nuk ka kaluar dhe përkundrazi jeni ndoshta në ditët më të këqija të këtij Covid-i".

*Tiranapost.al.