Aktualitet

Drejtori i Shefqet Ndroqit shfaqet në një intervistë dhe përballet me akuzat për spitalin: Hajdeni 24 orë që të shihni se ç'ndodh realisht

Drejtori i Shefqet Ndroqit shfaqet në një intervistë dhe

Perlat Kapisyzi është drejtori i Spitalit Shefqet Ndroqi, ku është fokusuar gjithë vëmendja, mediatike por dhe politike për shkak se është një spital Covid ku trajtohen të shtruarit me koronavirus.

Në intervistë, ai tregoi rutitën e tij dhe stafit mjekësor të spitalit ndërsa u përgjigjet edhe akuzave se pacientët nuk ushqehen dhe nuk trajtohen mirë nga mjekët.

Ka akuza që nuk jepet ushqim, ujë dhe nuk trajtohen mirë pacientët?

Unë kam dhe fatin e madh që jam mjek, unë hyj përditë dhe i shoh përditë se me ç’kujdes pacientët shërbehen. Këtë nuk e them se kam konflikt interesi. Hajdeni jo një orë por 24 orë që të shihni se çfarë ndodh realisht dhe sakrificat e personelit, ata thonë bëjnë detyrën, ashtu është por në radhë të parë janë misionarë. Ata shohin se çfarë të bën sëmundja, dhe prapë u qëndrojnë pacientëve mbi kokë. Mjeku Kapisyzi tregon se e ka kaluar vetë Covidin dhe i referohet si një virus i pabesë.

Intervista:

Si nis rutina juaj?

Gjëja e parë kur zgjohem në mëngjes është të shoh telefonin ku marr informacion sa janë shtruar sa janë paraqitur në urgjencë, sa e kanë përballuar dhe nuk kanë mundur të fitojnë betejën me Covid. Që në mëngjes unë përballem me qetësinë dhe gëzimin por njëkohësisht me ankthin dhe trishtimin dhe pasi mbarojnë këto, si njerëzit e zakonshëm bëj gjithë proceset e mëngjesit, dhe mëngjesin e shkurtër puna fillon me zhveshjet dhe veshjen e materialeve për mbrojtjen ndaj Covid është punë e përditshme, me maskë përparëse, këpucët, dhe dorezat. Ky është proces që e bëjnë të gjithë bluzat e bardha, pastaj hyjmë brenda dhe fillojmë vizita e përditshme, shohim çdo ditë pacientët një e nga një. Pra mjekët, hyjnë që në mëngjes tek pacientët, nuk mundet kurrë të thuhet që si ka mundësi s’ka hyrë mjeku për të parë pacientin dhe hyn në orën 9 e 15 dhe dalin nga ora 3-4.

Kaluan një vit nga kjo situatë. Si paraqitet situata mes bluzave të bardha?

Bluzat e bardha nuk është se bëjnë përjashtim nga ata në gjihë botën, kemi një pandemi paralele, mbingarkesë psikologjike të personelit shëndetësor. Kush kujdeset ndaj një pacienti që vuan, gjithë bluzat e bardha marrin një pjesë nga vuajtja dhe një gëzim kur pacienti shërohet, na beson fillon të buzëqesh.

Si është të drejtosh një institucion që ka gjithë vëmendjen mediatike dhe politike, ka vështirësi?

Të drejtosh një institucion nga më të rëndësishmit jo në kushte pandemie por dhe në kushte normale, se kemi arritur të bëjmë thuajse gjithë proceduat që bën bota për sëmundjet e mushkërive, në pandemi ka qenë shumë e vështirë, por gjithmonë kur përballesh me vështirësi ke dy altenativa, të bësh bosin apo liderin. Kur bën liderin e kupton që vështirësitë sado të mëdha kalohen, se punon me ekip, ekipi i Shefqet Ndroqit janë të mrekullueshëm.

Si është situata aktuale, se thuhet nuk ka kapacitete?

Situata aktualisht është e përballueshme për shumë arsye, sepse shohim një trend të rënies së infeksioneve, formave të rënda dhe më e rëndësishmja, menaxhimi i mirë duke hapur spitalet rajonale ka bërë që tashmë mos të bjerë gjithë ngarkesa në Covid, 1,2,3 dhe 4. Ka frymëmarrje për burnout të bluzave të bardha dhe shtretërve.

Ju e kaluat Covidin

Unë e kam thënë që Covidi, e kemi parë me sytë tonë sa i pabesë është e provova vetë dhe them se është shumë i pabesë, mendon se nuk ke asgjë dhe një moment ndjen mungesë oksigjeni aty kupton se çfarë durimi force çfarë besimi kanë pasur ato pacientë në atë gjendje të rëndë që shkakton Covidi. Jemi mërzitur nganjëherë për ankthin e familjarëve, ka akuza të shumta por do thoja që Covidi është i pabesë. Fatalitete ka pasur ka dhe do ketë në gjithë botën.

Të ka ngelur ndonjë rast në memorie?

Raste ka, ne në memorien tonë kemi çdo rast që nuk ia ka dalë, ka ngelur në memorien tonë, ashtu siç kanë ngelur raste që janë përleshur me Covidin dhe ia kanë dalë.

A është shtuar numri i të rinjve?

Profili i moshave që shtrohen në spitalin tonë ka filluar të ndryshojë, shohim mosha më të reja, nën 45 vjeç, dhe arsyet janë dy: Sepse moshat e reja janë ato më të shpenguar që nuk vënë maskë nuk mbajnë distancim. Kanë dhe përshtypjen që Covidi kalon lehtë tek moshat e reja.

Intervista në News 24, zbardhur nga Tiranapost.al.