Aktualitet

Dhuna në familje dyshohet të ketë çuar drejt vetëflijimit gruan dhe fëmijët e mitur. Ngjarja e rëndë në Shkodër

Dhuna në familje dyshohet të ketë çuar drejt

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Shkodër. Dyshohet se dhuna në familje është bërë shkak që nëna me 3 fëmijët të vetëflijohen, duke u vetëmbytur në lumin Bunë pranë Darragjatit. Deri më tani është gjetur trupi i vajzës 9-vjeçare, ndërsa e zhdukur rezulton edhe nëna Alma Arrazi bashkë me dy fëmijët e tjerë, një vajzë 8 vjeç, dhe një djalë 3 vjeç.

Policia e Shkodrës ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen e rëndë dhe ka arrestuar Ergys Arrazi për akuzën se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, Alma Arrazi.


Trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare është gjetur nga një peshkatar me shenja në fytyrë, ndërkohë polumbarët e RENEA po kërkojnë në ujërat e lumit Buna për trupat e nënës dhe 2 fëmijëve të tjerë, të cilët rezultonin të zhdukur prej 3 ditësh. Ka qenë vetë 31-vjeçari Ergys Arrazi, i cili ka denoncuar në polici më datë 3 maj se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje të tjera.

“Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa. Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje. Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes””, bëri me dije policia.