Aktualitet

Nëna e 15 vjeçarit të dhunuar përgënjeshtron Ardi Veliun për videon me pistoletë: Do e padis në prokurori

Nëna e 15 vjeçarit të dhunuar përgënjeshtron Ardi

Ka reaguar nëna e djalit 15 vjeçar të dhunuar disa ditë më parë nga policët tek Liqeni, për të cilën drejtori i Policisë Ardi Veliu postoi një video ku ajo shihej me pistoletë në dorë. 

Zaida Çobo ka përgënjeshtruar, duke thënë se videoja që ka treguar drejtori i policisë është pjesë nga xhirimet e filmit ‘Dashuria nuk mjafton’, që e ka postuar dhe në Facebook, ndërsa paralajmëroi se do të ngrejë padi në prokurori për prishje imazhi ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Nëna e 15 vjeçarit të dhunuar përgënjeshtron Ardi

Në një intervistë për ABC News, Zaida Çobo, nëna e 15 vjeçarit Sarandi Çobo ka thënë:

 “Unë e përgënjeshtroj 100% sepse është i vjedhur nga Facebooku im dhe është shkëputur nga filmi “Dashuria nuk mjafton”.

Krerët tanë nuk marrin vesh nga kultura. Duke folur për djalin tim thoshte ajo, ajo, ajo, mamaja e saj. Djali im është dy metra djalë. E kam rritur djalin vetë. Si do reagonte ai po të ishte djali i tij.

Nëse unë jam me precedentë penalë pse më kanë pranuar në Policinë e Shtetit. Kam bërë testimin dhe për dy pikë nuk e mora. Filmi është “Dashuria nuk mjafton” e regjisorit të madh Drilon Hoxha që ka bërë bujë. Nga një ana të vjen keq por edhe për të qeshur për reagimin e tyre.

Unë jam duke e ndjekur këtë çështje me struktura më lart se policia. Unë e kam thënë se në intervistat e mia që ndihem e kërcënuar.

Këto momente nuk ndihem derisa të dalë e drejta. Le t’i marrin videot nuk kam turp nga ato që kam bërë në jetë. Kam qenë në Big Brother, dhe në shfaqje të tjera por këta nuk dinë nga kultura.

Nuk më ka ardhur asnjë gjobë për djalin. Janë përgënjeshtrime këto që po thonë. Djali vazhdon me trajnime me psikologun. Veliu të shkojë të pyesë se ku luan fëmija im. Nuk do rri pa e denoncuar këtë prishje imazhi, do shkoj në prokurori”.

-Ardi Veliu u pyet sot në Komisionin e Sigurisë për ngjarjen me 15 vjeçarin, i cili u dhunua nga një polic për shkak se kishte dalë pa leje, por ndaj policit u mor masa e pezullimit.

Teksa fliste për rastin, drejtori i Policisë së Shtetit, publikoi videon e nënës së adoleshentit, ku shihej me pistoletë në dorë e nga ku Veliu vuri në dyshim edukimin e djalit nga nëna duke thënë:

‘Do t’ju shfaq një video të mamasë së tij, se kush është mamaja e tij dhe të besoni se nga çfarë familje vjen ky fëmija dhe pastaj të gjykoni vetë.

Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Ju a tregova këtë videon për të thënë se nga çfarë familje vjen ky fëmijë, sa i edukuar është, sa i është bindur thirrjeve të policisë dhe tek e fundit policia si gjithmonë bëhet viktimë’.