Aktualitet

Nëna e Martinit: Do ta nis me një buzëqeshje për djalin tim

Nëna e Martinit: Do ta nis me një buzëqeshje për djalin tim

Me një varëse më gërmen M që qëndron mbi bluzën e zezë, me sytë që e kanë trishtimin, mësuesja e Gjuhë Letërsisë nga Martaneshi tregon sesi gëzimi për ardhjen në jetë të Martinit i zhvendosi ata nga Martaneshi në Tiranë për të ardhmen e djalit.

"Faleminderit nga zemra juve dhe gjithë shqiptarëve anë e mbanë të gjithë botës. Për mua ka qenë një sensibilizim shumë i madh dhe jam mirënjohëse për të gjithë që më kanë mbështetur dhe dua që sot këtë emision ta filloj me një buzëqeshje ashtu sikur ishte djali im, Martini. Martin ti je lart, na shikon dhe unë të dua pafund. Ti je i buzëqeshur dhe unë do të buzëqesh si ti.", tha Florina Cani.

Blendi Fevziu ka paralajmëruar një intervistë tronditëse me nënën e Martin Canit, 14-vjeçarit i cili u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij pranë shkollës Fan Noli në Tiranë.

Pjesë nga Intervista

Blendi Fevziu: Si e more vesh lajmin?

Florina Cani: Unë kam punuar në arsim 8 vite në fshat, atje ku banoja. Pas asaj kohe, u bashkova me bashkëshortin se erdhi nga kurbeti dhe u martuam, pas martese na erdhi Martini, ishte gëzimi jonë, busulla jonë, gjithçka që kishim, ishte i mbushur me dashuri dhe ai vetë e tregon si është edhe në foto. Kam shumë fjalë për të folur për Martinin. E shkëputa punën vetëm si e si t’i rris ata fëmijë. Kam punuar në Martanesh dhe kam dhënë Gjuhë-Letërsi. Kam vendosur që të largohem nga puna që të rris vetëm Martinin sepse ishte gëzim i madh për ne. E rritëm me shumë dashuri. Pas Martinit, na erdhi në jetë edhe Henri, hasëm pak vështirësi, është 13 vjeç. Kjo ishte ecuria jonë e fillimet tona.

Blendi Fevziu: U vendosët në Sauk?

Florina Cani: Po. Martini ishte një fëmijë i shkathët dhe menduam që shkollën ta vazhdojë në shkollën më të mirë në Tiranë, shkollën Fan Noli. Ishte shumë i mirë me mësime, i kam fletat e lavdërimit nga klasa e parë deri në të gjashtën. Kishte dëshirë dhe sportin, im shoq e mbështeste. Sportin e vazhdoi që në klasën e dytë, e kishte pasion. Kjo ishte që ta çonim në një shkollë më të mirë se nga aty ku ne banonim. Unë kisha punuar me fëmijë dhe e di që ka vështirësi nga më të ndryshmet. Nuk doja që Martinin ta ngarkoja me Henrin se mos do të bullizohej nga fëmijët e tjerë dhe Martinin e çova në Tiranë, Henrin në Sauk.

Blendi Fevziu: Martinin e çove që të mos e bullizonin për problemin që kishte…

Florina Cani: Ngaqë kishte vonesë gjuhësore Henri, nuk kishte siç është përfolur autizëm sepse dhe kjo më ka prekur shumë.

Blendi Fevziu: A ekziston ky bullizëm kaq i fortë?

Florina Cani: Edhe ekziston.

Blendi Fevziu: Si ndihej Martini në shkollën “Fan Noli”?


Florina Cani: Në shkollë Martini nuk është se ndihej keq sepse nuk është se e kishte Henrin me vete. Unë u befasova kur e dëgjova se Martini është zënë me atë djalin nga vëllai sepse nuk e di nga e mori vesh sepse nuk ishin në të njëjtën shkollë.

Florina Cani, nëna e Martin Canit: Edhe unë e them me shumë nga thellësia e shpirtit faji është nga porta e shkollës. Mua duhet të më kishin lajmëruar për sherrin e të premtes.

Blendi Fevziu: Shkolla e dinin për sherrin e të premtes?

Florina Cani, nëna e Martin Canit: Patjetër që e dinin. Duhet të më kishin njoftuar në telefon. Mësuesja kujdestare, unë isha vetë mësuese dhe pa i përcjellë fëmijët nëpër rrugica nuk ikja në shtëpi.

Florina Cani, nëna e Martin Canit: Unë kam dy fëmijë edhe kanë të njëjtin gjak edhe kur ziheshin unë do të rija 1 orë rreth shtëpisë nëpër dhoma për ti parë se mos ziheshin prapë dhe jo dy fëmijë që nuk njiheshin dhe ata i bashkuan aq shpejtë. Si ka mundësi që bashkohen ata fëmijë aq shpejt. Mua më lind kjo dhe kështu e logjikoj, që nuk mund t’i bashkosh aq shpejt.

Blendi Fevziu: Ishin shokë klase?

Florina Cani, nëna e Martin Canit: Jo nuk ishin shok klase ishin paralel.

Blendi Fevziu: A e ke mësuar shkakun e sherit apo nuk ke dashur asnjëherë?


Florina Cani, nëna e Martin Canit: Jo nuk e kam mësuar shkakun e sherit sepse mësuesja kujdestare nuk më ka telefonuar dhe nuk më ka ngushëlluar. As drejtoria e shkollës. As nuk kanë ardhur dhe kur më morrën në telefon pas një jave nuk i pranova unë. Kështu e logjikova unë. Pas një jave çfarë kuptimi kishte kur unë e kisha humbur djalin dhe unë nuk kisha marrë asnjë njoftim nga ato.