Aktualitet

Nga fushata zgjedhore tek lejet e të burgosurve: Porositë e ministres së Drejtësisë në takimin me gjithë drejtorët e burgjeve

Nga fushata zgjedhore tek lejet e të burgosurve: Porositë e ministres

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj mblodhi sot në një takim urgjent drejtorët e gjithë burgjeve dhe IEVP-ve të sistemit të burgjeve në Shqipëri. Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura por janë publikuar porositë që ka lënë, që lidhen me garantimin e sigurisë dhe gatishmërinë e shtuar për fushatën elektorale.

Në njoftimin e bërë publik thuhet se “Ministrja e Drejtësisë mblodhi të gjithë drejtorët e burgjeve për t’i porositur qe edhe pse ndodhemi në fushatë elektorale, fokusi i garantimit të sigurisë është maksimal. Gjonaj është shprehur se detyra e vetme e drejtorëve të burgjeve është çështja e sigurisë në institucione”.

Për lejet e të burgosurve: Ministrja Gjonaj ka qenë e prerë duke kujtuar se prej më shumë se një viti janë të pezulluara, dhe kjo duhet respektuar deri në një urdhër të dytë.

Për sigurinë në burgje, Ministrja e Drejtësi ka theksuar se siguria në institucione duhet të jetë më e alertuar, në një shkallë më të lartë se sa ka qenë. Forcat policore do të duhet të jenë në një shkallë gatishmërie më të lartë për shkak të situatës elektorale.

Ajo ka kërkuar që të merren masa për ndalimin dhe kapjen e sendeve të ndaluara në burgje, sidomos telefonët dhe lëndët narkotike: Të gjitha sallat janë nën monitorim.

Lidhur me procesin zgjedhor, ministrja Gjonaj ka kërkuar garantimin e qendrave të votimit në të gjitha IEVP-të.

Ministrja Gjonaj ka folur edhe për çështjen e respektimit të protokolleve të sigurisë në IEVP-të ku zbatohet regjimi i posaçëm 41Bis: 41 Bis është hapi më kurajoz dhe më i suksesshëm që është ndërmarrë në sistemin penitenciar dhe se nuk do të lejojë askënd që ‘të mbyllë njërin sy’ e ‘të mbyllë njërin vesh’, që të mos respektojmë rregullat që duhet të ketë 41 Bis.

Gjithashtu Ministrja e Drejtësisë kërkoi kujdes të veçantë me raportet e vlerësimit të sjelljes të të dënuarve dhe të të paraburgosurve që japin stafet e burgjeve dhe që përtej faktit që është vendosur filtri që duhet të merret miratim në Drejtorinë e Përgjithshme, askush nuk mund të mendojë që do t’ia dalë të bëjë shkelje ligjore në këtë aspekt.

Deri më tani janë vaksinuar 160 punonjës të personelit shëndetësot të burgjeve. Pritet që procesi të viojjë me të gjithë punonjësit e tjerë të Burgjeve.

*Tiranapost.al.