Nga sot, bllokohen pikat kufitare me Greqinë. Kush janë të vetmit që mund të kalojnë?
Nga sot data 2 prill dhe deri në 4 prill, të gjitha pikat kufitare me Greqinqë do të jenë të mbyllura. Greva e Sindikatave Doganore është bërë shkak për paralizimin e lëvizjes.
Deri në datën 4 prill, dogana e Kapshticës, e Kakavijës, e Tre Urave dhe Qafë Bota nuk do të funksionojnë. Të vetmit që do të mund të kalojnë janë këmbësorët pa çanta dhe valixhe si dhe mjetet e emergjencës.
Bllokimi i sotëm shkaktoi një fluks të pazakontë ditën e djeshme në pikat kufitare të Shqipërisë dhe Greqisë.
NJOFTIMI I POLICISE:
Në vijim të informacionit të dhënë nga Policia e Shtetit, ju informojmë se, Policia Greke ka njoftuar Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, se nga data 02.04.2024, prej orës 05:30, deri më datë 04.04.2024, në orën 05:30, pika doganore greke në Kapshticë, do të jetë e mbyllur për shkak të protestës nga sindikatat greke.
Nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, autobusëve dhe kamionëve. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm këmbësorët, pa bagazhe, dhe automjetet që do kenë emergjenca shëndetësore. Policia e Shtetit është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore greke dhe do të ketë njoftime të tjera në kohën e duhur, për çdo ndryshim.