Aktualitet

Nga sot kalimi do të bëhet pa kontrolle në kufirin Shqipëri-Kosovë

Nga sot kalimi do të bëhet pa kontrolle në kufirin

Sot ka hyrë në fuqi regjimi i lirë i trafikut në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama tha se në Pikat e Kalimit Kufitarë në Morinë dhe Vermicë do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit.

“Sot fillon zbatimi i regjimit të lirë të trafikut lokal të kufirit në hapësirën prej 30 km nga të dy anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, në pikat e veçanta të kalimit kufitar. Ndërsa në Pikat Kufitare të Morinës dhe Vermicës do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit”, shkruan Rama.

Në bazë të marrëveshjes së firmosur më 26 nëntor 2021, zona kufitare e lëvizjes së lirë të banorëve me leje të trafikut lokal kufitar është deri në 30 km brenda territorit të palëve nënshkruese.