Nga viti i ardhshëm, tarifat e sigurimit të automjeteve nuk do të jenë njësoj për të gjithë
Nga viti i ardhshëm, çmimet e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve nuk do të jenë të njëjta për të gjithë. Tarifat e reja do të jenë të diferencuara, bazuar në një listë faktorësh që ndikojnë në rrezikun për të shkaktuar dëme nga drejtuesit e mjeteve.
Rregullat e reja janë caktuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, si pjesë e një projekti të diskutuar disa vite më parë, por kompanitë e sigurimeve nuk ishin gati ta zbatonin.
Viti i prodhimit të mjetit, fuqia motorike, qarku ku është regjistruar makina, lloji i makinës (elektrike apo me lëndë djegëse), mosha e zotëruesit të mjetit, përvoja në timon dhe historiku i aksidenteve do të regjistrohen në sistemin që përcakton çmimin vjetor.
Po ashtu, edhe sjellja në rrugë do të ndikojë në çmim, ku ata që kanë bërë aksident do të paguajnë më shumë.