Aktualitet

Ngërçi në futboll, Liga e Profesionistëve paralajmëron protesta

Ngërçi në futboll, Liga e Profesionistëve

Liga e Profesionistëve të Futbollit është mbledhur sot për të diskutuar në lidhje me çështjet organizative dhe me vijimin e bojkotit të kampionatit të Kategorisë Superiore.

Siç bëjnë me dije në faqen e tyre zyrtare “Liga Profesioniste e Futbollit” gjatë diskutimeve Asambleja e Ligës është dakordësuar për hapat e mëtejshëm në luftën për plotësimin e katër kerkesave të Ligës drejtuar qeverisë.

Ata thonë se do të intensifikojë kontaktet me negociatorin e qeverisë Fidel Ylli dhe për këtë ngarkohet Kryetari i Ligës dhe Sekretari i përgjithshëm për të ndjekur hap pas hapi ecurinë dhe reagimin e qeverisë pas dërgimit të relacionit shpjegues për kërkesat e Ligës.

Liga e Profesionistëve të Futbollit  shprehet e vendosur për vazhdimin e bojkotit dhe përshkallëzimin e protestave, duke projektuar protestën masive të futbollistëve më datë 10 tetor 2020.

“Deri më tani nuk kemi asnjë reagim nga qeveria për kërkesat e Ligës. Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit mbeten shpresëplotë për një përgjigje sa më shpejtë nga ana e qeverisë dhe për veprime konkrete në shqyrtimin dhe plotësimin e këtyre kërkesave që mund të sjellin zgjidhjen e ngërçit të krijuar”, shkruhet ndër të tjera në statusin e Ligës.

Më herët kryeministri Edi Rama në një konferencë me mediat tha se se futbollistët nuk marrin pagë minismale dhe nuk mund të përjashtohen nga taksat për 10 vjet.

Rama shtoi se futbolli profesionist është i pavarur nga qeveria dhe qeveria nuk ka detyrime ndaj tyre.