Aktualitet

Nis hetimi për një dekonspirim të mundshëm të operacionit të SPAK

Nis hetimi për një dekonspirim të mundshëm të

Prokuroria Speciale dhe Policia e Shtetit zhvilluan dje operacione në disa qarqe të vendit dhe nga 32 urdhër-arreste ekzekutuan vëtëm18 prej tyre. Një pjesë e bosëve të krimit nuk u gjetën në shtëpitë e tyre, edhe pse kreu i SPAK Arben Kraja tha se ata ishin lokalizuar më parë. Pas shumë reagimesh mbi një dekonspirim të mundshëm të operacionit të bujshëm, përfshirë dhe vetë kreun e SPAK që lëshoi akuza mbi Policinë, ka ardhur dhe reagimi nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Përmes një njoftimi për mediat, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore theksoi se po verifikon çdo dyshim nëse ka pasur rrjedhje informacioni.

Reagimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po verifikon çdo dyshim nëse ka patur rrjedhje informacioni, gjatë operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia e Shtetit, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022, përmes të cilit u caktuan dhe ekzekutuan masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “Arrest në burg” për 32 shtetas, mes tyre edhe një punonjës policie.

Në përfundim të këtij operacioni, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore siguron opinionin publik dhe mediat se do të hetojë me seriozitetin maksimal çdo dyshim për rrjedhje të mundshme të informacionit nga punonjës të policisë, si edhe çdo përfshirje nëse ka, në aktivitete të paligjshme.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090.