Aktualitet

Nis punën qendra e kompostimit në Belsh, Kumbaro: Projekti do të shtrihet edhe në bashki të tjera

Nis punën qendra e kompostimit në Belsh, Kumbaro: Projekti do të

Në Belsh është inaguruar qendra e re e kompostimit, që do të përpunojë të gjithë mbetjet e gjelbërta duke shmangur hedhjen e tyre në pikën fundore. E pranishme, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se ky projekt do të shtrihet edhe në bashki të tjera me karakter bujqësor. Kumbaro vlerësoi modelin, duke thënë se me anë të kompostimit ulet volumi i mbetjeve që menaxhohet nga bashkia, dhe njëkohësisht bashkia krijon të ardhura përmes shitjes së plehut organik që krijohet.

Nis punën qendra e kompostimit në Belsh, Kumbaro: Projekti do të

“Belshi i shtohet këtij projekti të përbashkët me partnerin më të mirë që kemi kur flasim për modele të ekonomisë qarkulluese, qeverisë gjermane dhe GIZ. Ajo që është pozitive është se ndërkohë ka edhe bashki të tjera që janë në radhë dhe presin, por sidomos në bashki të tilla ku hapësira rurale është më e madhe se hapësira urbane dhe aktiviteti bujqësor prodhon dhe gjeneron sasi të mëdha mbetjesh të gjelbërta, do të ishte mëkat dhe mungesë menaxhimi nëse ato hidhen në kosh, që përfundojnë në pikën fundore. Ndërkohë ne i riciklojmë duke i përdorur si pleh organik, që përgatiten dhe shiten nga bashkia duke krijuar të ardhura. I njëjti parim duhet të jetë edhe me letrën, edhe me plastikën, edhe me qelqin në vazhdim. Kemi hyrë në një tjetër logjikë të menaxhimit të mbetjeve, që është ajo e ekonomisë qarkulluese”, u shpreh Kumbaro.

Në inagurim ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Belshit, Arif Tafani, përfaqësues të GIZ Albania dhe pjesëtarë të tjerë të pushtetit lokal. Pjesë e projektit ishte ndërtimi i fushës së kompostimit dhe riciklimit, si edhe pajisja me mjete si traktori dhe mjetet grirëse për këto mbetje të cilat vijnë kryesisht nga serat dhe pemët frutore në territorin e bashkisë. Këto mbetje pasi grihen, vendosen në formën e kavaletave. Përafërsisht pritet që prej tyre të prodhohet rreth 300 ton kompost në vit që më pas do të përdoret nga fermerët dhe parqet e zonat publike. Mirela Kumbaro deklaroi se i njëjti model do të aplikohet edhe në bashki të tjera brenda këtij viti.