Nis sot regjistrimi për votën e diasporës, cilët janë hapat që duhen ndjekur
![TiranaPost](https://cdnimpuls.com/tiranapost.al/media3/-48-0-6318a0ab039ce.jpg)
Për herë të parë, në zgjedhjet e 11 majit shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve do të kenë të drejtën e votës dhe sot nis procesi i regjistrimit.
Regjistrimi do të kryhet përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), proces i cili zgjat deri në 4 mars.
Regjistrimi kërkon një pajisje elektronike, të çfarëdoshme, që mjafton të ketë internet dhe një kamera. Në fillim nevojitet një llogari në platformën PER, duke përdorur një numër telefoni, ose një email, si dhe të dhënat personale, nga ditëlindja, vendlindja, numri personal.
Llogaria krijohet vetëm duke treguar zgjedhësi fytyrën e tij përpara kamerës, për të shmangur votimet familjare apo përmes personave të tjerë. Pasi krijon llogarinë, votuesi duhet të dërgojë një kërkesë po në këtë sistem, ku i duhet një dokument identifikimi shqiptar. Në momentin e regjistrimit, pasaporta ose karta pranohen edhe nëse ju ka skaduar afati.
Emigranti, gjatë paraqitjes së kërkesës së tij për regjistrim në listën e zgjedhësve jashtë vendit sipas rregullave të miratuara nga Komisioni Rregullator, zgjedhësi ngarkon në platformën elektronike të regjistrimit të paktën një nga dokumentet e listuara që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë:
– Certifikatë pronësie ose dokument ekuivalent në shtetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës;
– Dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj i lëshuar nga autoritetet përkatëse;
– Kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës;
– Dokumente bankare (kontratë kredie/vërtetim bankar etj.) që përmban adresën e banimit;
– Kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë;
– Kontratë furnizimi ose faturë të energjisë gaz ose elektrike në banesë;
– Kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive;
– Kontratë ose faturë të shërbimit të internetit të telefonisë fikse në banesë;
– Dokument i lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësve në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni apo tjetër të ngjashëm;
– Dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar në shtetin e rezidencës që provon pronësinë e banesës;
– Leje drejtimi automjeti (patentë) në rastet kur shënohet adresa e banimit;
Ose çdo dokument tjetër të lëshuar në shtetin e huaj që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e deklaruar jashtë vendit.
Brenda 5 ditësh, KQZ do ta informojë emigrantin, nëse kërkesa e tij u pranua ose u refuzua. Në rast refuzimi, votuesi do të informohet se çfarë ka bërë gabim, dhe do t’i jepet mundësia të aplikojë përsëri.