Aktualitet

Nis takimi i mjekëve me përfaqësues të qeverisë. Këto janë katër kërkesat e tyre

Nis takimi i mjekëve me përfaqësues të qeverisë.

Sindikata e mjekëve ka paralajmëruar sot në orën 10:00 një protestë para QSUT. Por para kësaj, katër mjekë përfaqësues të sindikatës kanë nisur takimin me përfaqësues të ministrisë dhe drejtorin dhe nëndrejtoreshën e QSUT. Dy prej mjekëve që janë në takim me Ramën janë Gent Stroni dhe Arjan Mezini. Mediat televizive raportojnë se takimi ka nisur para pak minutash, ndërsa ata kanë paraqitur katër katërkesa të cilat i publikuan pasditen e djeshme. Nuk dihet konkretisht kush janë përfaqësuesit e tjerë që kanë pritur mjekët në ambientet e kryeministrisë. 

Katër kërkesat janë:

1. Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm.

2. Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.

3. Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.

4. Personelit shëndetësor të çdo niveli t'i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standarteve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Pritet që pas takimit të ketë një deklaratë nga mjekët, nëse kërkesat e tyre do të plotësohen.

Ndërkaq, ministrja e Financave Anila Denaj deklaroi mbrëmë në emision se se rritja e pagës me masën 40 % për mjekët dhe infermierët do kalojë me vendim qeverie brenda këtij muaji. 

“60 milion dollarë do të jetë rritja dhe kjo do jetë për të gjithë vitet. Pagat e mjekëve dhe infermierëve do kalojnë me Vendim Qeverie brenda muajit shtator. Pagat e mjekëve janë zëri më i rëndësishëm. Ne po flasim për një rritje të dytë të rëndësishme, mbas rritjes 21% të bërë para disa vitesh”.

Ajo u pyet edhe për denoncimet se disa mjekë nuk kanë marrë shpërblimin e premtuar për punën e tyre këto muaj të pandemisë.

Denaj tha:  “Vendimet e qeverisë për bonusin janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Nëse ka një denoncim që nuk është dhënë pagesa për një mjek, thesari duhet të lëvizë. Nuk është çështje e përgjithshme, por raste individuale”.