Aktualitet

Nisin përmbytjet në vend! Vjosa del nga shtrati dhe ja situata e fundit

Nisin përmbytjet në vend! Vjosa del nga shtrati dhe ja situata e

Përkeqësimi i ndjeshëm i kushteve atmosferike në vendin tonë duket se rezultuar në përmbytje dhe problematika të tjera në mbarë territorin.

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar fryrjen tej normave të nivelit të Lumit Vjosë dhe rrjedhimisht daljen e saj nga shtrati në disa pika. Në zonën e Përmetit, niveli i Vjosës ka arritur në 5.3 metra, ndërkohë që pika kritike është 5.4.

Niveli i lumit Vjosë aktualisht është në 6.34 metra, çka ka sjellë edhe përmbytjen e tregut të gjësë së gjallë në Novoselë.

Problematika janë vënë re edhe në zonën e Gjirokastrës, ku gjatë natës ka dalë nga shtrati përroi i Lënxës në fshatin Lazarat, duke krijuar probleme në qarkullimin e njerëzve dhe makinave që lidhin dy lagjet kryesore të këtij fshati.

Reshjet intensive që nga mesdita e djeshme kanë sjellë problem pranë nënkalimit të autostradës në Fushë-Mamurras. Ujërat e shiut kanë përmbytur pjesën e nënkalimit duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

Niveli i ujit ka arritur në kuota të larta duke bllokuar terësisht kalimin ndërsa drejtuesit e automjeteve zgjedhin rrugë alternative.

Ndërsa problematike mbetet situata në aksin rural Kolonjë-Golem ku inertet e rëna nga lartësitë si pasojë e shirave, kanë krijuar bllokimin e rrugës. Momentalisht, banorët e Golemit gjenden të izoluar nga pjesa tjetër e vendit si rrjedhojë e kësaj situate.

Në Lezhë, moti i keq ka sjellë reshje të dendura breshëri, të cilat kanë mbuliar rrugët dhe trotuaret, pavarësisht se ka shkrirë pak kohë pasi ka rëne për shkak të lëvizjes.

Edhe në qarkun e Korçës nuk mund të mos mungonin reshjet e borës, ku u angazhuan edhe mjetet borëpastruese për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës.

Mëngjesin e sotëm, Kukësi u zgjua i mbuluar nga bora, që ka nisur në zonat e thella malore si Novosej, Shishtaveci, Borje e Topojani, ku temperaturat janë ulur ndjeshëm duke sjellë dimrin.

Borë ka rënë edhe në malin e Gjallicës dhe pritet që në ditët në vijim të zbres edhe zonat e ulëta poshtë saj. Ndërkaq, qyteti i Kukësit në 24 orët e fundit është përfshi nga moti i keq me reshje shiu të dendura, por fatmirwsisht pa shkaktuar problematika.

Në lidhje me situatën e motit në vend ka reaguar edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Taulant Balla, i cili ka paraljmëruar banorët e zonës së Divjakës për përmbytje.

Teksa ka parë nga afër në Papër të Elbasanit nivelin e prurjeve të lumit Shkumbin, Balla u ka bërë thirrje banorëve për të larguar bagëtitë apo mjetet bujqësore nga tokat përgjatë lumit nga Çerma e sipërme dhe çermat e tjera përgjatë Shkumbinit.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë dhe një përmbledhje të situatës në të gjitha qarqet. Nga ky raportim vihet re izolimi i 10 familjeve në fshatin Vinjoll të qarkut Dibër përshkak të përmbytjes së Urës së Kaccit.

Reshjeve të dendura të shiut nuk i ka shpëtuar as kryeqyteti, pasi në rrugën 5 Maji janë rrezikuar disa banesa nga përmbytja.

Njoftimi nga Ministria e Mbrojtjes:

Situata e krijuar nga moti i keq në vendin tonë

Sipas të dhënave të raportuara nga emergjencat civile, reshjet e shumta kanë sjellë disa problematika në zona të caktuara të vendit. Situata konkretisht paraqitet si më poshtë:

-Qarku Tiranë. Si rezultat i reshjeve të shiut ka pasur prezencë uji në rrugën “5 Maji”, ku janë rrezikuar disa banesa. Ekipet e punës së bashkisë Tiranë kanë punuar për normalizimin e situatës.

-Në vendin e quajtur Ura e Maqedonasit, bashkia Rrogozhinë, Lumi Shkumbin ka rritje të prurjeve dhe lumi ka filluar të dalë nga shtrati. Në vendngjarje kanë shkuar përfaqësues të bashkisë Rrogozhinë si dhe Prefekti i qarkut Tiranë Z. Afrim Qëndro. Situata po mbahet në monitorim.

-Qarku Shkodër. Ka patur reshje shiu me intensitet mesatar. Në aksin rrugor Tamarë- Qafa e Bërdalecit ka pasur rënie gurësh dhe inerte. Firma kontraktore ka punuar për pastrimin e saj.

-Qarku Durrës. Si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë ka një fryrje të lumit Erzen në zonën e Sukthit. Situata po monitorohet nga Prefekti i qarkut Durrës.

-Qarku Dibër. Në fshatin Vinjoll, njësia administrative Lis, është dëmtuar Ura e Kaçes, e cila është rrëmbyer nga prurjet e zallit dhe është bërë e pakalueshme. Rreth 10 familje janë të izoluara dhe nuk komunikojnë dot me qendrën e fshatit dhe as me qendrën e njësisë administrative.

-Qarku Elbasan. Si pasojë e reshjeve që vazhdojnë dhe e prurjeve të mëdha të ujit ka dalje të ujërave të përroit të Gurrës në njësinë administrative Shushicë dhe dalje të lumit Shkumbin në Malasej, njësia administrative Gjergjan, bashkia Elbasan, ku janë nën ujë gati 1 ha toka bujqësore. Në aksin rrugor Librazhd-Zgosht ka pasur rënie të gurëve në trupin e rrugës.

-Nga qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar probleme për shkak të kushteve të motit.

Të gjitha strukturat, qoftë të pushtetit vendor, ashtu dhe ato qendrore u bëjnë thirrje banorëve të zonave ku janë shfaqur probleme, të bëjnë kujdes dhe garantojnë se janë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë në çdo rast të nevojshëm.

Tiranapost.al