Aktualitet

Një apel për prindërit: Mos i dërgoni fëmijët direkt në QSUT, si duhet të veproni

Një apel për prindërit: Mos i dërgoni fëmijët

4 qendra shëndetësore në Tiranë, do të jenë në shërbim 24 orë për të përballuar fluksin e vjeshtës dhe dimrit duke filluar nga 1 Tetori.

Qendra e re në Laprakë është njëra prej tyre. Teksa inspektonte qendrën në Laprakë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u bëri apel prindërve të mos i dërgojnë fëmijët menjëherë tek QSUT në rast të problematikave shëndetësore, duke marrë parasysh edhe pandeminë e koronavirusit. 

'Një apel për të gjithë prindërit, mos i dërgoni fëmijët direkt në QSUT, por drejtohuni pranë qendrave shëndetësore afër vendbanimit. Dhe është mjeku juaj pediatër që e vlerëson nëse ka nevojë për trajtim në QSUT. Duhet të shmangim sa më shumë flukset në QSUT, sidomos në këtë periudhë. Po bëhen gati edhe për vaksinen e gripit, e cila këtë vit do të ketë shumëfishim të dozave krahasuar me vjet, për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve por edhe të gjithë grupeve të rrezikuara'.

Ministrja sqaroi se ata që kanë nevojë të shkojnë në qendrat shëndetësore pranë vendbanimeve. 

“Duke filluar nga 1 Tetori, katër qendra shëndetësore në Tiranë që do të ofrojnë, me ekipe të përforcuara, shërbim ditë-natë për përballimin e periudhës së vjeshtë-dimrit për urgjencat pediatrike. Me vendimin tonë për të garantuar shërbimin 24 orë pa ndërprerje afër vendbanimit, synojmë të shmanget fluksi në QSUT gjatë natës”.

4 qendrat shëndetësore janë:

Qendra shëndetësore nr. 6 në Kombinat, qendra shëndetësore nr. 7 në Laprakë, qendra shëndetësore nr. 8 pranë sheshit Wilson dhe qendra shëndetësore nr. 10 në zonën e Oxhakut, të cilat do të ofrojnë shërbim 24 orë për urgjencat pediatrike.