Aktualitet

Një foto intime, dy burra që fajësojnë njëri-tjetrin dhe një grua e (vetë)vrarë

Një foto intime, dy burra që fajësojnë njëri-tjetrin

Një 27-vjeçare nga Kamza, nënë e një vajzë 2 vjeçe i dha fund jetës duke u hedhur nga tarraca e katit të katërt.

Arsyeja?

I publikuan një foto intime në TikTok.

E reja ishte në proces divorci dhe ishte njohur me një të ashtuquajtur personazh TikTok-u.

Një nga ata që shtohen çdo ditë në rastin më të mirë pa bërë asgjë, në rastin më të keq duke sharë pa censurë.

Me një nga këta ajo krijoi një lidhje, e lejoi të shkrepte një foto në shtrat dhe pa e ditur i dha në dorën armën për ta vrarë.

Kur u shkëput lidhja me të, fotoja e tyre u publikua online në TikTok e më pas në rrjete të tjera sociale.

I kërkoi ta hiqte, por ai, teksa i kërkonte rikthim, pretendonte se foton e kish postuar nje shoku i tij.

Ç'kërkonte shoku me një foto aq intime?

Kush ia dërgoi? Edhe nëse dikush e vodhi nga telefoni, a nuk është përgjegjësi t'i ruash fotot personale?

Djali në fjalë, Altin Çoku është arrestuar.

27-vjeçarja ka vdekur.

Po a mund të ishte parandaluar tragjedia?

Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji. Nuk ka kaluar një muaj, kur një tjetër grua u vetëvra se denigrohej në TikTok.

Nëse njerëzit nuk e kanë fuqinë të jenë më të kujdesshëm në marrëdhëniet që krijojnë, se kujt i besojnë, a nuk duhet të ketë institucione mbi ta që t'i mbrojnë?

A ka ardhur koha që TikTok ku shahet e postohet pa censurë të ketë limite apo fajin s'na e ka TikTok?